Kurti: Dje morëm lajm të mirë nga Gjermania- Qeveria jonë gjatë këtij mandati miratoi 2 mijë e 226 vendime

Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar sot mbledhjen e radhës. Në fillim të kësaj mbledhje, kryeministri Albin Kurti është deklaruar në lidhje me vendimin e fundit që shtetasit kosovarë të cilët jetojnë në Gjermani tani e tutje të regjistrohen si shtetas të Kosovës, e jo të Serbisë siç regjistroheshin për 17 vite me radhë. “Dje…

Lajme

12/03/2025 10:29

Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar sot mbledhjen e radhës.

Në fillim të kësaj mbledhje, kryeministri Albin Kurti është deklaruar në lidhje me vendimin e fundit që shtetasit kosovarë të cilët jetojnë në Gjermani tani e tutje të regjistrohen si shtetas të Kosovës, e jo të Serbisë siç regjistroheshin për 17 vite me radhë.

“Dje kemi marrë një lajm të mirë. Pas më shumë se 17 vjetësh është arritur marrëveshja me institucionet gjermane lidhur me çështjen e regjistrimit të shtetasve të Kosovës. Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë, në dokumentacionin gjerman-gjë që nga sot s’do të përsëritet më”, tha Kurti.

Ai falënderoi mirënjohje ndaj MPJD-së dhe shtetit gjerman, për këtë ndryshim.

“Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për MPJD për këtë ndryshim të nevojshëm. Falë angazhimit dhe bashkëpunimit të tyre tashëm është miratuar udhëzimi që siguron që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës. Andaj bashkatdhetarë në Gjermani u bëjmë thirrje të verifikoni dhe korrigjoni atë. Falënderojmë shtetin mik e partner gjerman për eliminimin e këtij problemi. Vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar njohjen e të drejtave të qytetarëve tanë kudo në botë”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.

Kurti tha se gjatë këtij mandati si qeveri kanë miratuar mbi 2 mijë vendime.

“Gjatë këtij mandati përfshirë edhe vendimet në këtë mbledhje, Qeveria jonë ka miratuar 2 mijë e 226 vendime në mandatin e parë të plotë 4 vjeçar që nëse i llogarisim 880 punë i bie nga dy vendime në gjysmë ditë.319 ishin miratime të projektligjeve ku kemi dëshmuar një nivel të lartë të aktivitetit legjislativ të qeverisjes sonë në zbatimin e politikave demokratike.

Në mbledhjen e sotme kemi 23 propozim vendime”,tha ai./Lajmi.net/