Kurti: Çdo përpjekje për të shtrembëruar luftën e UÇK-së është e papranueshme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burg për secilin nga katër drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, duke e cilësuar si të pabazë dhe jashtë standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Sipas Kurtit, thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burg për secilin nga katër drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, duke e cilësuar si të pabazë dhe jashtë standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Sipas Kurtit, thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. Ai ka theksuar se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse, e zhvilluar në rrethanat e okupimit të egër dhe të dhunës që po shndërrohej në gjenocid shtetëror.
“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga konteksti historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, tha Kurti.
Ai ka bërë të qartë se UÇK-ja nuk ka pasur plan shfarosjeje të asnjë populli tjetër apo të civilëve.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se kërkesa e Hagës injoron kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.
“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë”, tha Kurti, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e tyre. /Lajmi.net/