Kurti-Abdixhiku pa takim të ri, a po kalkulohen zgjedhjet e reja?
Kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë takuar më nga e mërkura për të diskutuar rreth emrit të presidentit konsensual. Analistë politik vlerësojnë që me këtë qasje po konsumohet kohë për t’iu afruar afateve zgjedhore. Për emra të përveçëm për president e formim të institucioneve diskutuan para tri ditësh. Por, nga…
Lajme
Kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë takuar më nga e mërkura për të diskutuar rreth emrit të presidentit konsensual. Analistë politik vlerësojnë që me këtë qasje po konsumohet kohë për t’iu afruar afateve zgjedhore.
Për emra të përveçëm për president e formim të institucioneve diskutuan para tri ditësh.
Por, nga e mërkura kryeministri në detyrë, Albin Kurti e kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku s’u takuan më.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot thanë për televizionin Dukagjini se nuk po planifikohet asnjë takim aktualisht.
Të heshtur qenë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët s’bën të ditur nëse ka pasur diskutime tjera pas të mërkurës.
Që kjo situatë po shfrytëzohet për t’iu afruar një afati zgjedhor e thotë analisti politik, Albinot Maloku.
“Tani jemi në një situatë që jemi të asaj që mund të konsiderohet jashta rendit kushtetues për rrjedhojë Republika e Kosovës ka nevojë t’i kthehet rendit kushtetues e pastaj të mundohet t’i kthehet një normaliteti. Unë nuk po shoh ndonjë kontribut të këtyre bashkëbiseduesve në rrafshin e kthimit të rendit kushtutues sa po shoh në konsumin e kësaj kohe për të kalkuluar proceset zgjedhore”, ka thënë Albinot Maloku, analist politik.
Maloku vlerëson se këto zhvillime po i japin regres vendit.
‘’Prej 9 shkurtit 2025 kemi krizë politiko-juridike institucionale në vend e cila ka mbart me vete shumë pasoja të cilat po i ndjejmë e do t’i ndjejmë si qytetarë të vendit, në të gjitha rrafshet duke përfshirë, arsimin shëndetësinë e krejt si pasojë e vullnetit dhe pasionit e subjektit dominant në kuvendin e Kosovës e cila e ka për qëllim t’i jap vendit një regres”, ka thënë , ka thënë Albinot Maloku, analist politik.
Të mërkurën pas takimit të kryetarit të LVV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku të dy deklaruan se situata ka nevojë për zgjidhje urgjente dhe shprehen gatishmëri për të zgjedhur një president jashtë politikës e konsensual.