Kurteshi i shpërfillur, akuzon Jahjagën dhe Hasanin për shkelje të Kushtetutës

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga; përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar; dhe shefi i Misionit EULEX, Gabriel Meucci, po pengojnë hetimet që Institucioni i Avokatit të Popullit është duke zhvilluar, lidhur me dyshimet për shkelje ligjore dhe kushtetuese, të kryera nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Lajme

09/03/2015 12:30

Avokati i Popullit u ka drejtuar Jahjagës, Zhbogarit dhe Meuccit, por edhe vetë kryetarit Hasani, një sërë pyetjesh për të mësuar “natyrën, përmbajtjen, nivelin dhe kohëzgjatjen e kontakteve midis kryetarit Hasani dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Misionit EULEX”.

Sipas një komunikate për media, Avokati i Popullit u ka dhënë katër zyrtarëve përgjegjës të gjitha mundësitë, bazuar në ligj, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij në komunikimin e rregullt ndërinstitucional.

Madje, presidentes Jahjaga dhe Zhbogar, Avokati i Popullit u është drejtuar tri herë me të njëjtat pyetje. “Por të gjithë zyrtarët përgjegjës, ose kanë shpërfillur plotësisht letrat e dërguara nga Avokati i Popullit, ose kanë refuzuar, në mënyrë kategorike, t’u përgjigjen pyetjeve të tij”.

“Ky dështim i plotë i bashkëpunimit, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, konsiderohet pengim i punës së Avokatit të Popullit’”, thuhet në komunikatë.

Sipas Kurteshit, në rastin e kryetarit Hasani dhe presidentes Jahjaga në veçanti, refuzimi kategorik për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila përcakton qartë se “çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj.”

“Avokati i Popullit e konsideron po aq shqetësues faktin që presidentja Jahjaga refuzon t’u përgjigjet jo vetëm pyetjeve rreth kontakteve të kryetarit Hasani me Bashkimin Evropian dhe Misionin EULEX, por edhe pyetjeve rreth kontakteve që Zyra e Presidentes mund të ketë pasur me kryetarin Hasani, ose gjatë bisedimeve me BE-në dhe EULEX-in ose në çfarëdo kohe tjetër, lidhur me vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë”.

Ky refuzim kategorik për t’u përgjigjur, sipas Avokatit të Popullit shtron pyetjen: çfarë ose kush po shtyn Presidenten Jahjaga për të shkelur edhe Kushtetutën, në mënyrë që të fshehë faktet kyçe në këto hetime?”

“Sa më i lartë që është statusi i një zyrtari në hierarkinë shtetërore të Republikës së Kosovës, aq më i ulët është respekti që tregon për Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ky është rrënim i themeleve të shtetit ligjor”, ka thënë Kurteshi.