Kura me qumësht për duar të buta

Për duar të buta ju mjafton të përdorni qumësht dhe do të shihni rezultate të mrekullueshme.

Lifestyle

10/06/2021 16:01

Lëkura qoftë ajo e duarve apo e pjesëve të tjera të trupit, në shumë njerëz ka tendencën për t’u tharë si pasojë e ndikimeve të shumta si nga jashtë ashtu edhe nga brenda organizmit.

Kjo vlen veçanërisht për duart pasi janë kontakti i parë me shumicën e veprimtarive të përditshme.

Sa herë prekni diçka, lani duart, enët, rrobat apo i dezinfektoni ato me kimikate, krijoni një gjendje në këtë pjesë të trupit që me siguri do të çojë në tharjen tej mase të lëkurës.

Thuhet se duart janë treguesi i vërtetë i moshës dhe kjo është një arsye për t’u kujdesur gjithnjë për to.

Gjithashtu lëkura shumë e thatë, e ashpër dhe e çarë është një bezdisje dhe problem për këdo.

Për duar të buta ju mjafton të përdorni qumësht dhe do të shihni rezultate të mrekullueshme.

Kura me qumësht

Për të përgatitur këtë trajtim ju duhen shumë pak përbërës dhe kohë e më pas mund të përdoret nga kushdo.

Si fillim hidhni dy gota qumësht në një enë dhe ngroheni për 40-45 sekonda në mikrovalë.

Këtë proces mund ta kryeni edhe në një tenxhere në zjarrin e furrës, mjafton që qumështi në fund të jetë i ngrohtë.

Për këtë kurë sigurohuni që të përdorni qumësht me yndyrë në mënyrë që të hidratoni plotësisht lëkurën.

Pra kur qumështi të jetë ngrohur, merrni enën dhe zhysni të dyja duart në të.

E mira është që duart të mbulohen plotësisht nga qumështi dhe mbajini në atë mënyrë për 15 minuta.

Në fund të këtij trajtimi lajini duart me ujë të ftohtë dhe thajini me një peshqir të butë.

Në varësi të gjendjes së duarve dhe dëshirës tuaj tek qumështi mund të shtoni dhe 2-3 lugë mjaltë në mënyrë që të siguroni hidratim më të plotë.

Këshilla e vetme është që të bëni kujdes me nxehtësinë e qumështit, në mënyrë që të mos rrezikoni djegien apo acarimin e mëtejshëm të lëkurës.

Këtë trajtim mund ta bëni një herë në javë dhe duart tuaja do duken më të shëndetshme./Lajmi.net/