Kur pritet t’u mundësohet qytetarëve tërheqja e parave nga Trusti?

Pritet të kalojë një periudhë disa javore para se në Kuvendin e Kosovës të hidhet në votim Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili vetëm të mërkurën e kësaj jave ka dalë në konsultim publik.

Lajme

17/07/2020 09:41

Në qoftë se ky projektligj kalon në Kuvend, do të ketë përfitime dhe lehtësira për bizneset dhe për qytetarët. Tetë ligje është paraparë të ndryshohen përmes tij.

Me ndryshimet e iniciuara nga Ministria e Financave, përmes këtij projektligji qytetarët do të kenë mundësi të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në Trustin e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Financave ishte njoftuar qytetarët se atyre nuk do t’u kompensohej shuma e tërhequr nga Trusti.

“Ministria e Financave njofton qytetarët e Kosovës se Qeveria e Kosovës në kuadër të programit për rimëkëmbjen ekonomike e ka paraparë edhe tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga Trusti i Pensioneve. Mirëpo, qytetarët të cilët bëjnë tërheqjen e 10 për qind nuk do të kompensohen nga Qeveria për shumën e tërhequr”, thuhet në reagimin e MF-së.

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte thënë se do të kërkohet ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale me qëllim që bëhet e mundur një gjë e tillë.