Kur injorohet Çeku

Agim Çeku flet për mungesën e Isa Mustafës në debate televizive. Thotë se nuk brengoset për këtë gjë, por pret që fundi i garës të falsë në favor të tij.

Lajme

16/10/2013 13:22

Agim Çeku pretendon se fuqia e tij politike dhe elektorale është shumë e madhe se që Isa Mustafa mund ta paramendojë.

Ky i fundit vazhdon t’i injorojë debatet televizive me kundërshtarët e tij në garën për Kryetar të Prishtinës, ku është edhe Agim Çeku.

Por, për gjeneralin e dikurshëm të ish UÇK’së e më vonë edhe TMK’së, llogaritë e Isa Mustafës mund të dalin të gabuara.

Dhe për këtë ai sjell shembuj nga e kaluara e tij ushtarake.

“Unë nuk brengosem se çfarë mendon ai (Mustafa) për ne. Mund të them që në karrierën time shumë gjeneralë serbë më kanë trajtuar se jam i vogël për ta por në fund epilogu ka qenë krejt ndryshe, ka qenë në favor timin. Besoj se në qoftë se ai mendon që ne jemi kafshatë e vogël për të dhe na injoron”.

“I ka arsyet e veta, unë jam duke u marrë jo me kandidatë tjerë por me ofertën time. Jam duke u marrë me qytetarët, duke kërkuar besimin e tyre duke u sqaruar ofertën tonë e cila është shumë më mirë se e kandidatëve tjerë”.

“Mendoj se 3 nëntori do të tregojë shumë qartë se kujt do t`i besojnë qytetarët dhe kush do  të jetë kryetar komune. Besoj fuqishëm se unë do të jem ai dhe PDK që do ta qeverisin komunën në katër vitet e ardhshme”.

Çeku, kandidat i PDK’së për Kryetar të Prishtinës, i ka bërë këto komente pas takimit me përfaqësuesit e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit. Ai u ka ofruar mbështetje zdrukthëtarëve.

“Unë si kryetar i komunës do të bëjë çmos që të jem partner i tyre në rritjen e prodhimtarisë por edhe në rritjen e cilësisë dhe konkurrencës jashtë”.

Sipas Çekut zdrukthëtarët do të kenë mbështetje në promovimin  e produkteve të tyre.

“Mendoj që këta janë në gjendje shumë shpejt që t`i plotësojnë kërkesat e tregut kosovarë me prodhimet e drurit, por mendoj që për nga cilësia e tyre janë shumë konkurrues dhe do t`i mbështes që t`i promovojnë produktet tona jashtë dhe ky sektor I industrisë të eksportoj në tregu rajonal por edhe më gjerë”.

“Zdrukthëtaria është një sektor që me cilësinë e vet është  shumë konkurrues sidomos në rajon por edhe më gjerë”.

“Industria e përpunimit të drurit është industri shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë Agim Çeku.