Të Infektuar: 18.345

Të Shëruar: 15.198

Të Vdekur: 669

Kur ikin legjendat

9:29 | 17 Shtator 2020

Mund të ketë qenë viti 2005, kur, ende student,kisha kaluar fazën fillestare të gazetarisë dhe po përpiqesha të konsolidohesha në profesionin që kisha hyrë.

Shkruan: Musli Krasniqi

Në atë periudhë, gazeta e shtypur zinte vendin, ndoshta kryesor, të informimit publik në Kosovë.

Sado e profilizuar të dukej, “Epoka e re” ishte tejet solidare nëhapësirën që u jepte, qoftë studentëve apo gazetarëve të rinj, për tëmarrë hapat e parë në këtë lëmë, qoftë në hapësirën brenda faqeve të saj, për artikuj me përmbajtje të ndryshme,nga autorë të profileve të ndryshme.

Me një rubrikë të përjavshme, pjesë e gazetës ishte bërë edhe artisti Adem Mikullovci.

“Kolegu” ynë i ri sillte çdo javë për lexuesit nga një tekst,bisedë imagjinare me personalitete të ndryshme të jetës publike në Kosovë, e sidomos me figura të historisë kombëtare.

Hasan Prishtina, Shotë Galica, Bajram Curri, mund të kenë qenë disa nga ‘bashkëbiseduesit’ e Adem Mikullovcit, i cili, nëpërmjet këtij lloj bashkëbisedimi, shpërfaqte, por edhe thumbonte aktualitetin politik në Kosovëne asaj kohe.

Baca Adem i sillte vet tekstet në redaksi, në letër, të shkruara me makinë shkrimi. Mbetej detyrë e jona t’i shkruanim në kompjuter, për t’i bërë të gatshme për botim.

Gjatë atyre qëndrimeve të shkurtra në redaksi, përpiqeshim të shfrytëzonim prezencën e tij për ndonjë muhabet a batutë.

Pikërisht në këtë periudhë kishte filluar të shfaqej një serial-komedi, në tëcilin ai vet, si në shumë syresh, ishte njëkohësisht skenarist, regjisor dhe aktor.

Komentet lidhur me serialin ishin të pashmangshme.

“Allahile, qysh po ju duket?”, na pyeti, pas disa komenteve tona lidhur me episodet e para.

“Shumë serial i mirë, po kënaqemi”.

“Po cfarë miri bre. Vetëm ta dinit se cfarë skenari me motive lufte kam dërguar… Por jo, nuk e duan. Mëthonë: baca Adem, populli është i vuajtur, ende i ka të freskëta plagët e luftës, prandaj mos t’ia ngacmojmë.Shkruaj diçka qëpopullin e bën të qesh. Në rregull, u thash. Kështu po doni, kështu ua bëj”.

Ishte ky një version i butë i përgjigjes së Lasgush Poradecit, kur i kishin kërkuar të shkruante një poezi për traktorin.

***

Ishte koha kur pushtetin kryesor në Kosovë e kishte administrata ndërkombëtare dhe opinioni publik i Kosovës bombardohej çdo ditë, në të gjitha format dhe me të gjitha mjetet, me mesazhin “për të lënë pas të kaluarën dhe parë drejt të ardhmes”.

S’do mend se në rrethana të tilla, edhe Adem Mikullovci duhej të përgatiste dhe servonte atë që e kërkonte tregu. Pra, komedinë.

Thuhet se më e vështirëështë ta bësh publikun të qesh, se sa të qajë. Prandaj, nuk ishte punë e lehtë kjo as për të, sado që ishte mjeshtër i hollë i saj.

Ishim rritur me skeqet humoristike të tij, po aq sa edhe me filmat me përmbajtje të veçantë emocionale, nëpërmjet të cilëve përjetësonte vuajtjet e popullit në rrethana robërie. Kritikët e artit skenik mund të japin interpretimin më të saktë, megjithatë, të arrish të jesh origjinal, sa në komedi, aq edhe në film-dramëme motive të tilla, duhet të posedosh cilësi të rralla dhe mjeshtri të hollë artistike.

Ky kapërcim rolesh, pa cenuar asgjë nga origjinaliteti i secilit prej tyre, e radhit Adem Mikullovcin në mesin e artistëve që mund të numërohen në gishtat e një dore.

* * *

Shuarja e Adem Mikullovcit dhe e Leze Qenës, në Kosovë, e Rikard Ljarjës dhe Xhevdet Ferrit, në Shqipëri, e bëjnë të kobshëm vitin 2020 për skenën e filmit e të teatrit shqiptar.

Ndër të fundmit eplejadës që përfaqësojnë, ata do të lënë pas mungesën e artistëve që artin dhe kulturën shqiptare e ngritën në nivelet më të larta, ndërsa te publiku, boshllëkun e roleve e të personazheve shumëtë dashura e me aftësi të rralla interpretuese.