“Kur e ktheva kokën e pash që rreshteri mbeti i shtrirë në tokë, i palëvizshëm”- dëshmia e policit Alban Rashiti për natën kritike të “Banjskës”
Zyrtari policor i Njësisë Speciale të Kosovës, Alban Rashiti ka dëshmuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë për natën tragjike, të sulmit të Banjskës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagos vetë Rashiti. Rashiti tregoi në detaje se si fillimisht kishin pranuar informatën për një veturë të dyshimtë, më pas rrjedhën…

Lajme
Zyrtari policor i Njësisë Speciale të Kosovës, Alban Rashiti ka dëshmuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë për natën tragjike, të sulmit të Banjskës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagos vetë Rashiti.
Rashiti tregoi në detaje se si fillimisht kishin pranuar informatën për një veturë të dyshimtë, më pas rrjedhën e ngjarjes.
Fillimisht, Rashiti tha se më 23 shtator 2023 kishin filluar punën në orën 08:00 të mëngjesit dhe se ndërrimi me pjesëtarët tjerë ishte bërë në fshatin Izvor mbi Banjskë.
“Kemi qëndruar aty deri në ora 14:00, gjithçka ka qenë në rregull. Pastaj, është bërë ndërrimi nga kolegët dhe kemi shku në bazën në Kushllovë të Vllahisë, deri në ora 20:00 kemi qëndruar në gjendje gatishmërie”, tha Rashiti.
Sipas tij, informatën e parë e kishin marrë për një veturë të dyshimtë, një orë pasi ishte bërë ndërrimi- pra në orën 21:00. Informacioni u kishte ardhë nga dhoma komanduese, ku u ishte thënë se në rrugën e Izvorit është një veturë e parkuar në një livadh.
Rashiti tha se e kishin pranuar informatën deh se kishin filluar menjëherë me patrullën për veturën e dyshimtë, ku edh e kanë arritur të lokalizojnë atë.
Më pas, Rashiti tha se nga kolegët e vijës së gjelbër u është thënë se vetura është e njohur për ta dhe se pronari nuk ka asgjë të dyshimtë. Por, pronari që jetonte aty afër, e kishte lënë veturën në atë vend dhe kishte shkuar në shtëpi.
“Ne i kemi bartë këto informata dhe jemi larguar pasi nuk kemi pa diçka të dyshimtë”, tha Rashiti.
Dëshmitari tha se më pas më 24 shtator 2023 ishte bërë ndërrimi i stafit që patrullonin në atë pjesë. Pas kësaj, tha se bashkë me kolegët Çlirim Shaqiri dhe Mirsad Kryeziu, kanë vazhduar nga Izvori për të kaluar në Banjskë e më pas për të dalë në rrugën kryesore dhe për të shkuar në bazë.
Duke e sqaruar në detaje rastin, Rashiti tha se pas një shpërthimi të fuqishëm, kishte kuptuar se është plagosur në anën e majtë të trupit.
“Gjendja në fshat ka qenë pothuajse absolute pa asnjë lëvizje dhe që nuk është e zakonshme. Momenti që ka ardhë rreshteri Afrim siç e përshkrova në ato qaste, jam largu 3-4 metra nga e majta, ka ndodh një shpërthim i papritur dhe e kam kuptu që jam plagos në krahun e majtë. Ka qenë shpërthim shumë i madh, pothuajse në mesin tonë nuk e kemi ditë nga ka ardhë, por e di që kur e kam kthy kokën kam pa tym të zi dhe zjarr dhe e kam pa që jam goditur me armë”, tha Rashiti.
Polici tha se kishin filluar t’iu kundërpërgjigjen gjuajtjeve, më pas e kanë lokalizuar se nga po vinin ato gjuajtje.
“Por, kur e ktheva kokën e pash që rreshteri mbeti i shtrirë në tokë me shpinë, i gjakosur, i palëvizshëm. Me Mirsadin kërkuam nga Çlirimi që ta sjellë veturën aty dhe ta tërheqim rreshterin nga vendi sepse në atë vend kishte gjuajtje tërë kohës”, tha Rashiti.
I njëjti theksoi se pasi u nis drejt tyre Çlirimi, kishin filluar gjuajtjet nga anë të ndryshme, duke e bërë veturën të palëvizshme, ku panë që nga motori po rridhte vaji dhe uji i motorit.
Rashiti ka vazhduar dhënien e dëshmisë në gjykatë, derisa aty sot u paraqitën edhe tre të akuzuarit për rastin e Banjskës- në mesin e 45 emrave të akuzuar për këtë sulm./Lajmi.net/