Kupa Botërore “Rusia 2018” pa futbollistë zezakë?
Këshilltari i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) për anti-racizëm, Tokyo Sexwale paralajmëron se lojtarët zezakë mund të bojkotojnë pjesëmarrjen në Kupën Botërore të futbollit 2018, që do të zhvillohet në Rusi.
Sport
Sexwale ka kërkuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të ndërmarrë veprime të ashpra kundër racizmit në futboll.
Sexwale, një luftëtar i anti-racizmit dhe ish i burgosur politik, thotë se është kundër një bojkoti të tillë, por në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve Associated Press, ai ka shprehur shqetësimin në lidhje me rritjen e numrit të incidenteve raciste në ligën ruse, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Edhe pse FIFA disa herë vitet e fundit ka kritikuar Rusinë për racizëm, Federate Kombëtare ruse nuk ka marrë masa.
“Nëse nuk merren masa, ekziston mundësia që lojtarë të thonë se nuk do të shkojnë në Rusi për Kupën Botërore 2018”, është shprehur Sexwale.
Së fundi, futbolli rus është kritikuar që nuk ka marrë masa ndaj trajnerit të FC Rostov, Igor Gamula, i cili javën e kaluar ka thënë se ai nuk do të nënshkruajë marrjen e një mbrojtësi zezak, sepse klubi, siç është shprehur ai, “ka mjaft lojtarë me lëkurë të errët”.
Gamula më pas ka kërkuar falje pasi që agjenti i Rostov, mbrojtësi Siyanda Xulu, nga Afrika e Jugut, ka thënë se pesë lojtarë afrikanë në ekip kanë kërcënuar me mosmarrje pjesë në stërvitjen e së hënës.
Sexwale ka thënë se një kërkim-falje nuk mjafton. Ai ka treguar se si NBA ka detyruar Sterling Donald për të shitur Klipersat e Los Angelesit, si dhe e ka përjashtuar përgjithmonë për shkak racizmit të tij.