Kundërshtohet përpjekja për “amnisti” të zyrtarëve që s’e deklarojnë pasurinë

Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kundërshtuar ndryshimet në nenin 437 të Kodit Penal, i cili flet për mosraportimin ose raportimin e rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare.

Lajme

13/03/2015 08:12

Koha Ditore shkruan sot se ndryshimet e sponsorizuara një ditë më parë nga Qeveria favorizojnë zyrtarët që nuk deklarojnë ndonjë pjesë të pasurisë.

Me ndërhyrjet e bëra, për t’u ndëshkuar të tillët, domosdo duhet të faktohet motivi i fshehjes së qëllimshme të pasurisë.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka thënë të jetë informuar për ndryshime vetëm nga gazeta. Ai ka dhënë konkluzionin se ndryshimet e tashme nuk janë të dobishme.

“Nëse miratohet amendamentimi i Kodit Penal, ky do të jetë edhe një arsyetim i prokurorëve për t’i hedhur të gjitha kallëzimet penale. Si të provohet qëllimi? Si të provohet dashja? Kjo është e pamundur. Të gjitha refuzimet e prokurorive për të ngritur aktakuza për korrupsion e kanë të njëjtin arsyetim – ka shkelje ligji, por nuk ka ekzistuar dashja”, i ka thënë “Kohës Ditore” Preteni.

Ndërkaq, Petrit Zogaj nga Lëvizja ‘Fol’, ka thënë se këto ndryshime kanë qëllime të caktuara.

“ Në vend se të shkojmë përpara, në hetimin e pasurisë së dyshimtë dhe të kemi  njerëz të hetuar  e të dënuar për atë pasuri, ne shohim shfaqje të tilla të përpjekjeve, për bllokim dhe fshehje të pasurisë nga ana e zyrtarëve publikë”, ka thënë Zogaj.