Kundër Korrupsioni nis hetim të ri ndaj Rozeta Hajdarit, dyshohet se ka fshehur një biznes
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari do të jetë subjekt i hetimit nga Prokuroria e Shtetit për veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rrejshëm të pasurisë. Kjo pasi që para disa ditësh Agjencia Kundër Korrupsion ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres Hajdari.

Lajme
Agjencia Kundër Korrupsion e Kosovës ka konfirmuar para pak ditësh se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres së Qeverisë Kurti, Rozeta Hajdari, shkruan lajmi.net.
AKK ka sqaruar se rasti i ministres Hajdari lidhet me vitin 2020, kur ajo nuk e kishte deklaruar me kohë pasurinë e saj pasi që kishte marrë pozitën.
“Rasti i ministres Hajdari ndërlidhet me vitin 2020, me mosdeklarim të pasurisë me kohë, në kohën kur e ka marrë detyrën si ministre. Do të thotë është një rast i vjetër, por që, për shkak të dështimit të dërgimit të formularit me kohë, ashtu siç e parasheh ligji, Agjencia e ka dërguar rastin e saj në prokurori”, kanë bërë të ditur dje nga Kundër Korrupsioni.
Por ky nuk është rasti i vetëm për të cilin po hetohet ministrja e Kurtit. Në media gjatë javës ka pasur raportime të cilat nxjerrin zbuluar një biznes që ministrja Hajdari e ka mbajtur fshehur nga shteti.
Sipas këtyre raportimeve, Hajdari në formularin e publikimit së pasurisë, nuk ka treguar se është pronare e “R&V Consulting”, biznes ky që është aktiv në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
Ministrja këtë biznes e ka hapur qysh në dhjetor të vitit 2008, i cili për aktivitet primar e ka këshillimin e bizneseve për menaxhim.
Lexo edhe:
Shteti nuk e vëren pasurinë e fshehtë të Rozeta Hajdarit, zbulohet biznesi ‘sekret’ i saj
Lidhur me rastin në fjalë, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konfirmuar për lajmi.net se ka nisur hetime të reja, që përfshinë verifikimin e çështjes nga departamentet përgjegjëse.
“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupcionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse. Rrjedhimisht, Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë Agjencia në një përgjigje dhënë lajmi.net.
Sipas raportimeve gjatë javës, ministrja Hajdari ka qenë në krye të kësaj kompanie që nga janari i vitit 2009, e deri në shkurt të vitit 2020 kur është votuar qeveria Kurti 1.
Sidoqoftë, biznesi vazhdon të jetë ende aktiv dhe ministrja nuk e ka njoftuar ARBK-në nëse ajo i ka kaluar aksionet e saja tek ndonjë institucion tjetër apo nëse të njëjtat i ka shitur.
Rozeta Hajdari nuk është ministrja e vetme e cila tanimë është subjekt i hetimeve nga Anti Korrupsioni.
Në të njëjtën situatë është edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Lajmi.net ka raportuar para pak ditësh se si Anti – Korrupsioni po e heton për shkak se ajo dyshohet se nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.
“Lidhur me rastin e adresuar, Agjencia kundër Korrupsionit është zhvillim e sipër të procedurës së hetimeve paraprake të mbledhjes, hulumtimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe informacioneve të tjera, relevante për rastin”, konfirmoi Agjencia Kundër Korrupsion gjatë javës për lajmi.net.
Nisin hetimet edhe ndaj një ministreje të Kurtit: Donika Gërvalla “nën llupën” e Kundër Korrupsionit
Ndryshe, procesi i deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik ka filluar më 1 mars dhe përfundon me 31 mars.
Zyrtarët të cilët deklarojnë me vonesë pasurinë, fshehin apo e deklarojnë rrejshëm atë, mund të përballen me kallëzim penal nga Agjencia Kundër Korrupsion e cila më pas të njëjtin e dërgon në Prokurori.
Në një situatë të tillë ishte gjendur edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj.
Kjo e fundit ishte shpallur e pafajshme më 19 tetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit. /Lajmi.net/