Kujdes, AKI përgjon (VIDEO)

Për mision kanë identifikimin e kërcënimeve që e rrezikojnë sigurinë e shtetit. Këtë gjë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, është duke e bërë edhe përmes përgjimit të komunikimeve elektronike.

Lajme

01/02/2016 20:29

Madje numri i kërkesave për përgjim, po rritet nga vit në vit.

Gjykata Supreme që është kompetente për të lëshuar urdhëresat për AKI-në, në vitin 2015 këtij institucion të sigurisë ia ka aprovuar 94 kërkesa ndërsa në 2014 ishin lëshuar 74 sosh, njofton Klan Kosova.

Kryetari i supremes, Fejzullah Hasani, thotë se për shkak të kërkesave të mëdha ka angazhuar dy gjyqtarë që të merren enkas me kërkesat e AKI-së. Ndërsa shpjegon edhe procedurën që duhet ndjekur.

Hasani tregon se urdhëresat për përgjime lëshohen në raste që paraqesin rrezikshmëri të lartë, terrorizëm, apo veprat kundër rendit kushtetues.

Por, ani pse AKI është e autorizuar të bëjë përgjime, megjithatë subjektet që përgjohen kanë të drejtë ankese.

Këtë gjë mund ta bëjnë tek Avokati i Popullit. Por, zyrtarët e  këtij institucion bënë me dije për Klan Kosova se prej se funksionon Agjencia e Inteligjencës, as një herë nuk kanë pranuar një ankesë të tillë.

YouTube player