Kuçi: Respektojmë vendimin edhe nëse nuk është në favor të PDK-së
PDK do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se kë duhet të mandatojë për kryeministër Presidentja. Hajredin Kuçi thotë se vendimi i Kushtetueses do të respektohet edhe nëse nuk është në favor të partisë së tij.

Lajme
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se partia e tij do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe nëse ai nuk është në favor të saj.
Këto deklarata Kuçi i ka bërë në Rrokum TV, teksa ka komentuar çështjen e dërgimit të një sërë pyetjesh në Kushtetuese nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila pret të marrë përgjigje se kë duhet ta mandatojë për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
“Jemi në pritje të certifikimit të rezultateve, natyrisht dhe në pritje të vendimit të gjykatës kushtetuese, dhe ne do ta respektojmë çdo vendim që vjen prej gjykatës kushtetuese. Dëshirojmë ta kemi një zgjidhje legale, me norma demokratike, pa tensione dhe ta lemë procesin ashtu siç ka qenë i mirë procesi i votimit, ta përfundojmë ketë proces në konstituimin e institucioneve të reja në mënyrë demokratike, ligjore dhe kushtetuese”, tha Kuçi.