Kuçi: Nëse PDK nuk gjen partner koalicioni, shkohet në zgjedhje të reja
Nënkryetari i PDK-së, njëherësh ministër i Drejtësisë në detyrë, si dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Hajredin Kuçi tha se marrëveshja e arritur sot në mes të partive opozitare është antikushtetuese.
Lajme
Ai në emisionin Zona B në Klan Kosova, tha se me zhvillimet e fundit Kosova ka hyrë në një fazë politike të ngutshme. Kuçi vazhdon të insistojë se mandatar i Qeverisë duhet të jetë Hashim Thaçi, pasi ai është fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.
“Dua të them se sot kemi hyrë në një fazë politike të ngutshme”.
“Në kohën kur e kemi hartuar Kushtetutën, kemi menduar që nëse partia fituese nuk arrin ta bëjë qeverinë, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja”.
\”Në fazën e parë testimi bëhet me atë që ka fituar, pra ai është mandatari. Nëse partia e parë dështon me mandatarin e parë, e provon me tjetrin, nëse jo, shkohet në zgjedhje. Unë dua të jem i qartë, mandatin duhet ta ketë partia fituese”, tha Kuçi.
“E kemi ditur se ka disa bisedime, por nuk e kemi ditur se do të shkojnë deri në iracionalitet. Unë kam menduar se Mustafa do të kërkojë postin e kryeministrit, nuk kam menduar se do të pranojë që të dalë i treti”.
“Me këtë logjikë, institucionet do të konstituohen me vonesë. Në qeverisjen e kemi me dinjitet dhe nuk kemi nevojë të krijojmë eufori të tilla tek qytetarët, e cila pastaj mund të kthehet në bumerang”, vlerësoi ai.
Kuçi shtoi se PDK-ja ka pritur që pasi të certifikohen rezultatet nga ana e KQZ-së, të fillojnë negociatat për të gjetur partnerin e saj të koalicionit. \”PDK-ja është e gatshme të qeverisë dhe nëse nuk ndodh kjo gjë, atëherë është po ashtu e gatshme që të shkojë sërish në zgjedhje\”.
Numri 2 PDK-së tha se partia e tij ka dashur t\’i fillojë bisedat pasi të certifikohen rezultatet.
“Ne jemi të gatshëm që të formojnë qeverinë dhe të qeverisim me vendin, dhe nëse kjo nuk është alternativë, atëherë alternativa tjetër është shkuarja në zgjedhje”.
“Presidentja do të bëjë veprime kushtetuese dhe ligjore, që t\’ia japë mandatin partisë fituese”, u shpreh i bindur Kuçi.
\”Në momentin që të përballet dikush me marrëveshje të tilla në mënyrë ligjore, atëherë shkohet në Gjykatën Kushtetuese. Por, unë besoj që gjërat do të vijnë në vendin e vet”.
“Ne jemi të vetëdijshëm që kemi nevojë për një partner të koalicionit, nëse nuk pranojnë, do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.
“Ne e shohim veten fitues të këtyre zgjedhjeve, e shohim veten në udhëheqjen e qeverisë dhe gjetjen e partnerëve të koalicionit”, tha pos tjerash Hajredin Kuçi.