Ku i marrin partitë politike paratë për shpenzime fushate?
Që nga 11 janari kur nisi fushata, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partitë politike organizuan tubime, udhëtime, krijuan reclama dhe materiale promovuese. Të gjitha këto kanë një kosto, të cilën partitë duhet ta paguajnë. Kush I paguan të gjitha këto shpenzime? Sipas rregullores së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çdo parti mund të shpenzoj mbi…
Lajme
Që nga 11 janari kur nisi fushata, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partitë politike organizuan tubime, udhëtime, krijuan reclama dhe materiale promovuese.
Të gjitha këto kanë një kosto, të cilën partitë duhet ta paguajnë. Kush I paguan të gjitha këto shpenzime?
Sipas rregullores së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çdo parti mund të shpenzoj mbi 2 milionë euro, që përkthehet në një euro për çdo votues të regjistruar.
Në zgjedhjet e mëparshme, shpenzime ishin 50 centë për votues, ndërsa për zgjedhjet e 9 shkurtit janë regjistruar 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës.
Tani kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhje, nga 4 janari deri me 2 shkurt, partitë dhe kandidatët për deputetë kanë shpenzuar rreth 200 mijë euro sponsorizime vetëm në Facebook.
Këtu prin Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin për kryeministër, Bedri hamza dhe kryetarin e partisë, Memli Krasniqi, me rreth 26 mijë euro, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me Lumir Abdixhikun me rreth 23 mijë euro.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka sponsoriuar mesazhe politike në vlerë prej mbi dhjetë mijë eurosh.
E, kryetari I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sponsorizoi rreth shtatë mijë euro.
Nga vijnë këto para?
Partitë financohen nga dy burime: buxheti i shtetit dhe donacionet private.
Financimi nga buxheti bëhet çdo vit përmes Fondit për mbështetjen e subjekteve politike.
Ky fond, sikurse vitin e kaluar, dhe sivjet kap vlerën e 4.8 milionë eurove. Ndarja bëhet në bazë të përfaqësimit të partive në Kuvend.
Vitin e kaluar Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh politik përfitoi 2.2 milionë euro.
Partia Demokratike e Kosovës mbi 760 mijë euro dhe Lidhja Demokratike e Kosovës 640 mijë euro. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 320 mijë euro.
Partitë kanë të drejtë të pranojnë edhe donacione dhe konribute private. Ligji lejon donacione deri në 10 mijë euro nga kompanitë dhe dy mijë euro nga individët. Por, në raportet e fundit financiare të publikuara në ueb-faqet e partive politike, nuk tregohen shuma të mëdha financiare.
Në vazhdimësi partitë politike janë kritikuar për mosraportim real të donacioneve që marrin nga donatorët privatë, në veçanti në kohë fushatash.
“Përgjatë viteve të kaluara zgjedhore, KDI dhe DnV-ja kishin monitoruar edhe mënyrën e shpenzimeve, koston e fushatës së partive dhe shpeshherë ai limiti prej një milionë eurosh sa ka qenë atëherë, zakonisht konsumohej brenda javës së parë apo të dytë të fushatës”, ka thënë Eugen Cakolli nga IKD.
Me ligj, subjektet politike garuese në zgjedhje obligohen të dorëzojnë në KQZ raportin financiar të fushatës zgjedhore, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve.
Partitë kishin publikuar raporte të tilla për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021. Për 10 ditë sa zgjati fushata, LDK-ja kishte shpenzuar më së shumti – mbi 600 mijë euro, e pasuar nga Vetëvendosja me mbi 370 mijë euro të raportuara. REL