Kthimi urgjent i Vuçiqit nga SHBA, Danas: “Tentoi të hynte në darkën e republikanëve me emër të rremë”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka tentuar të hyjë me emër të rremë në një darkë donatorësh të kandidatit republikan për guvernator të Floridas. Lëvizja për Ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë e quajti turp dhe dëm të madh diplomatik dhe gjeopolitik për Serbinë, duke reaguar pas dëshmisë së serbo-amerikanit Aleksandar Joviçiq nga organizata “Serbët për…

Lajme

05/05/2025 16:49

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka tentuar të hyjë me emër të rremë në një darkë donatorësh të kandidatit republikan për guvernator të Floridas.

Lëvizja për Ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë e quajti turp dhe dëm të madh diplomatik dhe gjeopolitik për Serbinë, duke reaguar pas dëshmisë së serbo-amerikanit Aleksandar Joviçiq nga organizata “Serbët për Trump 2024”, i cili foli në lidhje me këtë.

“Kapur duke u përpjekur të hyjë me emër të rremë Aleks Vuçi në Konventën e Byron Donalds, presidenti i Serbisë u kap në shkelje të ligjit dhe me mirësjellje u lut të largohet nga SHBA”, deklaroi Vojislav Mihailoviq, kryetar i kësaj lëvizjeje, siç raporton gazeta Danas.

“Na ka turpëruar para serbëve në SHBA dhe në mbarë botën. Për më tepër, i ka shkaktuar dëm të madh serbëve në SHBA, falë të cilëve Serbia mësoi të vërtetën. U mësua edhe që Trump e mban mend mirë financimin që Vuçiq i bëri fushatës së Hillary Clinton dhe se me të në krye, Serbia nuk ka ç’të shpresojë për mirë kur është fjala për marrëdhëniet me këtë vend. Me keqpërdorimin e VMA-së dhe mediave serbe për ta mashtruar të gjithë popullin e Serbisë jemi mësuar prej tij, dhe askush nuk e besoi atë shfaqje”, theksoi Mihailoviq, transmetoi kjo lëvizje në një komunikatë për media.

Vuçiq u kthye urgjentisht në Serbi pasi kishte nisur një vizitë në SHBA dhe autoritetet shtetërore dhe mediat e kontrolluara prej tij thanë se kjo ndodhi për shkak të disa problemeve shëndetësore të tij.