Kthimi i shqiptarëve në veri, “proces i pamundur”
Procesi i ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës, të djegura dhe të rrënuara gjatë luftës, por edhe pas lufte, nuk do të vazhdojë në këtë vit pasi që as niveli lokal e as ai qendror nuk merret me këtë problematikë.
Lajme
Çështja ka mbetur te Komisioni Ndërministror i formuar nga Qeveria e Kosovës, në të cilin do të bëjnë pjesë përfaqësues të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe kryetarët e dy komunave të Mitrovicës, Agim Bahtiri (Jug) e Goran Rakiq (Veri), si dhe përfaqësues shqiptarë dhe serbë të lagjes “Kroi i Vitakut”. Çështja e kthimit në pjesën veriore të Mitrovicës është diskutuar edhe në Bruksel, në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por në terren nuk është bërë asgjë që Marrëveshja për kthimin e të zhvendosurve në pronat e tyre të zbatohet.
Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, ka deklaruar se nuk ka asnjë përparim në këtë drejtim. Sipas saj, deri në pranverë nuk do të vazhdojë procesi i rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve.
“Deri në pranverë besoj se nuk do të ketë asgjë, pasi që tani fillon të përkeqësohet koha e gjatë dimrit nuk mund të punohet në rindërtimin e shtëpive. Kjo duhet të shfrytëzohet që të krijohen kushte që në pranverë të rifilloj procesi pa probleme”, ka thënë ajo./ Zëri