Kthimi i Listës Serbe në institucionet e Kosovës duhet të kushtëzohet

Përfaqësuesit e qytetarëve serbë do të duhej të ktheheshin në Qeveri dhe në institucionet e Kosovës, vlerësuan sonte Goran Bogdanoviq dhe Dushan Janjiq.

Lajme

11/03/2015 23:29

Duke folur për këtë në televizionin serb B92, ish-politikani serb nga Leposaviqi ka deklaruar se bojkoti nuk është mënyrë që të luftohet për interesat e serbëve.

“Edhe në kohën kur kam qenë ministër (në qeverinë e Kosoëvs), në disa raste përfaqësuesit serbë kanë bojkotuar institucionet e Kosovës dhe nga kjo ne më shumë jemi dëmtuar se që kemi përfituar”, ka thënë Bogdanoviq, transmeton Koha.net.

Analisti Janjiq, ndërkaq, vlerësoi e kjo është një çështje e taktikës dhe e asaj se çka mund të përfitohet para kthimit të përfaqësuesve serbë në Qeverinë e Kosovës.

“Koordinimi i punës me Listën Serbe është i nevojshëm dhe kjo është e mirë. Me këtë, Beogradi është bërë faktor i rëndësishëm në Kosovë”, ka thënë Janjiq.

Bogdanoviq vlerësoi se serbët do duhej të ktheheshin në Parlamentin e Kosovës në kohën kur në rend dite do të jetë votimi për formimin e Gjykatës Speciale.

Janjiq tha se është e mundshme që para kthimit të kërkojnë realizimin e disa kushteve.

“Është e mundshme të kërkohet ndonjë post tjetër ministror, që Prishtina të pajtohet që çështja e Trepçës të zgjidhet jashtë Prishtinës dhe që të zgjidhet çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka këshilluar Janjiq.