Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas refuzimit të certifikimit të subjektit politik “Lista Serbe” nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai ka theksuar se vendimi i KQZ-së është politik dhe ka pasuar si formë proteste ndaj sjelljes së këtij subjekti, por që vendimi përfundimtar i përket institucioneve gjyqësore, transmeton lajmi.net
Sipas Kryeziut, Lista Serbe ka të drejtë të ankohet në PZAP dhe më pas në Gjykatën Supreme, dhe me gjasë do të urdhërohet certifikimi i saj. Ai theksoi se asnjë subjekt politik nuk mund të ndalohet për qëndrimet politike që mban.
“Lista Serbe nuk mund të ndalohet. Në një demokraci liberale, çfarë është Kosova dhe bota e qytetëruar, kjo gjë është thjesht blasfemi juridike dhe politike”, shkroi ai.
Kryeziu gjithashtu ka bërë thirrje që përgjegjësia të jetë individuale dhe jo kolektive, dhe se në demokraci askush nuk mund të detyrohet ta dojë shtetin me zemër. Ai kërkoi që institucionet dhe miqtë ndërkombëtarë të kuptojnë arsyet politike të votës kundër në KQZ, por gjithashtu të ndikojnë që Lista Serbe të reflektojë dhe të ndryshojë sjelljen e saj.
Në fund, ai kritikoi edhe një pjesë të shoqërisë civile që, sipas tij, reagojnë me tone alarmante për situata që nuk përbëjnë diskriminim të vërtetë.
Postimi i plotë:
“LISTA SERBE” DHE FAKTET KONKRETE…
Në vijimësi të letrës publike që i kam dërguar zonjës Ana Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Prishtinë, konsideroj që duhet ta vazhdojmë diskutimit rreth çështjes së certifikimit të subjektit politike “Lista Serbe”.
Çështjet që kanë të bëjnë më lirinë e veprimit politik janë shumë të ndjeshme, prandaj është shumë e rëndësishme që të analizojmë faktet veç e veç dhe të nxjerrim konkluzione racionale.
1. KQZ është një trup i përbërë nga 11 anëtarë. Dhjetë prej tyre janë përfaqësues të partive politike parlamentare, përfshirë përfaqësuesit e partive që vinë nga komunitetet jo shumicë. Pra, KQZ është një trup thellësisht politik.
2. Rezultati i votimit dje ishte 2 vota KUNDËR, 7 ABSTENIM dhe 2 vota PËR. Pra, certifikimi është refuzuar sepse kanë munguar minimalisht 6 vota pro certifikimit të Listës Serbe. Pra, në terma praktik, shtatë votat ABSTENIM janë të barasvlershme me dy votat KUNDËR.
3. Votimi në KQZ, ku u refuzua certifikimi i Listës Serbe, duhet kuptuar vetëm si një protestë e përfaqësuesve të spektrit të gjerë politik për sjelljet dhe logjikën jonormale politike që aplikon Lista Serbe, theks sidomos te mos distancimi i Listës Serbe nga sulmi në Banjska. Vota PËR do të nënkuptonte amnistim politik të të gjitha sjelljeve kontroverse të Listës Serbe. Kjo protestë është tërësisht e justifikuar dhe do të duhej të shërbente si pikë dhe moment reflektimi për Listën Serbe.
4. Procesi i certifikimit nuk ka përfunduar. “Lista Serbe” ka të drejtë të ankohet në PZAP, ku procesi është i pandikuar nga argumentet politike dhe bazohet ekskluzivisht në kriteret teknike ligjore për certifikim. Shikuar juridikisht, pritet që PZAP, dhe sipas nevojës edhe Gjykata Supreme, ta urdhërojnë certifikimin e Listës Serbe. Me kaq përfundon kjo histori.
5. Pretendimet (faktet) që prezantoi Sami Kurteshi nga VETËVENDOSJE patjetër duhet të trajtohen në organe të tjera kompetente për trajtimin e tyre. KQZ nuk është forumi i duhur për t’i trajtuar ato.
6. Le të supozojmë që pretendimet e Sami Kurteshit janë të bazuara. Edhe në këtë situatë, “Lista Serbe” nuk mund të shpallet organizatë terroriste, siç pretendojnë disa. Në programin e saj nuk ka asgjë që ligjërisht do të mund ta justifikonte një gjë të tillë.
7. Është shumë e rëndësishme t’ia përkujtojmë vetes që në një demokraci përgjegjësia është individuale. Nuk ekziston koncepti i fajit dhe përgjegjësisë kolektive. Gjykatat kompetente mund të sanksionojnë individë të caktuar duke u ndaluar të drejtën e kandidimit për pozita publike, por e gjitha mbaron me kaq.
8. Askush nuk mund ta detyrojë Listën Serbe që ta dojë me zemër Kosovën. Po ashtu askush nuk mund t’i detyrojë serbët e Kosovës të votojnë për parti të tjera, nëse ata nuk duan ta bëjnë një gjë të tillë.
9. “Lista Serbe” nuk mund të ndalohet. Në kornizën juridike të Kosovës nuk ekziston asnjë mundësi ligjore për ta ndaluar një subjekt të caktuar politik. Në një demokraci liberale, çfarë është Kosova dhe bota e qytetëruar, kjo gjë është thjesht blasfemi juridike dhe politike.
10. “Lista Serbe” nuk mund të çregjistrohet. Kriteret ligjore që e mundësojnë çregjistrimin e një subjekti të caktuar politik janë krejtësisht teknike. Pra, asnjë subjekt politik nuk mund të çregjistrohet për shkak të qëndrimeve dhe kauzave politike që mban.
11. Presidentja e Republikës duhet të ushtrojë rolin e saj kushtetues në mbrojtje të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës. Heshtja dhe qëndrimi anash nuk është opsion. Para faktorit të jashtëm, Presidentja duhet të angazhohet që të balancojë brengat legjitime politike të subjekteve të përfaqësuara në KQZ, si dhe brengat legjitime juridike të subjektit politike “Lista Serbe”, si dhe të kujdeset që PZAP të ketë hapësirën e domosdoshme të veprojë dhe gjykojë i pandikuar nga politika dhe faktorë të tjerë.
12. Miqtë dhe aleatët perëndimor të Kosovës duhet ta mirëkuptojnë protestën politike të partive të përfaqësuara në KQZ. Ata duhet ta përdorin autoritetin e tyre që të ndikojnë te “Lista Serbe” që ajo të korrigjojë sjelljen e saj politike, duke u angazhuar mirëfilli për ura bashkëpunimi dhe integrim domethënës.
13. Shoqëria pa domethënie civile, që ka parazituar mbi fondet e USAID-it, bën mirë të nisë ta dojë pak më shumë Republikën e Kosovës. Tonet e tyre alarmante, përfshirë pohimet për diskriminim e përjashtim nga proceset politike, janë të gabuara dhe të pabazuara. Shoqëria pa domethënie civile duhet ta kuptojë që më nuk mund të sigurojnë fonde duke e sharë Kosovën dhe duke ia ulur asaj vlerat./lajmi.net/