Kryeziu: Kandidatët e rinj dhe gratë do ta kenë garën më të vështirë më 7 qershor

Ismet Kryeziu nga KDI, ka vlerësuar se kandidatët e rinj dhe gratë do ta kenë garën më të vështirë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Përmes një postimi në Facebook, drejtori i Instituti Demokratik i Kosovës tha se afati i shkurtër zgjedhor po ua vështirëson dukshëm kandidatëve të rinj ndërtimin e profilit publik…

Lajme

12/05/2026 10:38

Ismet Kryeziu nga KDI, ka vlerësuar se kandidatët e rinj dhe gratë do ta kenë garën më të vështirë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një postimi në Facebook, drejtori i Instituti Demokratik i Kosovës tha se afati i shkurtër zgjedhor po ua vështirëson dukshëm kandidatëve të rinj ndërtimin e profilit publik dhe fitimin e besimit të qytetarëve.

“Për kandidatët që hyjnë për herë të parë në garë dhe që nuk kanë profil të lartë publik, sfida është dukshëm më e madhe. Brenda një kohe shumë të shkurtër duhet të krijojnë profil publik, të shpalosin ofertën e tyre politike dhe të ndërtojnë besim elektoral”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka theksuar se në disavantazh të madh janë edhe gratë, të cilat sipas tij përballen me më pak hapësirë mediale, më pak mbështetje financiare dhe gjuhë diskriminuese gjatë fushatave zgjedhore.

Sipas Kryeziut, pabarazia në garë thellohet edhe më shumë nga sistemi aktual zgjedhor, ku Kosova funksionon si një zonë e vetme zgjedhore.

“Ndarja në zona zgjedhore do të ishte një zgjidhje më e drejtë, sepse do të krijonte përfaqësim më kualitativ dhe më shumë mundësi për kandidatë të rinj”, ka deklaruar ai. /Lajmi.net/