Kryeziu: Byronë Kosovare do ta kompensojmë, cent më cent për çdo keqpërdorim që i është bërë
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me aksionin e zhvilluar ndaj keqpërdorimeve të kryera nga ish-drejtuesit e Byrës Kosovare të Sigurimeve (BKS). Kryeziu konfirmoi se gjatë aksionit janë arrestuar ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, ndërkohë që shumica e të…
Lajme
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me aksionin e zhvilluar ndaj keqpërdorimeve të kryera nga ish-drejtuesit e Byrës Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Kryeziu konfirmoi se gjatë aksionit janë arrestuar ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, ndërkohë që shumica e të arrestuarve janë duke u intervistuar për veprimet e tyre.
Ai bëri të ditur se gjithsej janë arrestuar 39 persona, ndërsa shtoi se 7 nga ta aktualisht ndodhen jashtë Kosovës. Megjithatë, hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë dhe secili individ që ka kryer veprime të paligjshme do të përgjigjet para drejtësisë. Kryeziu theksoi se procesi hetimor ka për qëllim të sigurojë llogaridhënie dhe të mbrojë interesat e BKS-së si palë e dëmtuar.
“Realisht ne kemi arrit që ti arrestojmë 39 persona dhe ti ndalojmë të njëjtit, përderisa 7 prej tyre, në bazë të veprimeve hetimore dhe operative në terren, rezultojnë që janë jashtë Kosovës. Mirëpo veprimet hetimore ndaj tyre nuk do të ndalen, dhe secili për veprimet që i ka bërë do të përgjigjet për kundërligjshmërinë që ka kryer ndaj organeve të drejtësisë, ka thënë Kryeziu.
Ai shtoi se institucionet po kujdesen për kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj BKS-së:
“Ne do të kujdesemi që në kuadër të mandatit që e kemi, palën e dëmtuar, Byronë Kosovare, ta kompensojmë cent më cent për çdo keqpërdorim që është bërë. Jemi kujdesur dhe prandaj kemi sekuestruar dhe ngrirë shumë pasuri të cilat ata i kanë keqpërdorur, dhe kemi prova për secilin rast. Megjithatë, mos të harrojmë se jemi ende në fazat e hershme dhe hetimet mund të zgjerohen edhe më tutje.”
Kryeziu theksoi gjithashtu se arrestimet dhe hetimet janë pjesë e një procesi të gjerë ligjor që synon sigurimin e drejtësisë dhe përgjegjësisë për keqpërdorimet në BKS, duke mbrojtur interesat financiare të institucionit dhe të qytetarëve.
Ky aksion përbën një hap të rëndësishëm të drejtësisë në luftën kundër keqpërdorimeve në institucionet publike, ndërsa prokuroria vijon hetimet dhe intervistimet për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast. /Lajmi.net/