“Kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër” – Kurti e Rama përplasen gjatë vendosjes së gurëthemelit të një çerdheje në Bardhosh

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit në detyrë, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës kanë marrë pjesë sot në vendosjen e gurëthemelit të një çerdheje në Bardhosh të Prishtinës. Por, ky përurim duket të jetë “shfrytëzuar” për një përplasje mes Kurtit e Ramës të cilët kanë kritikuar punët e…

Lajme

30/06/2025 11:02

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit në detyrë, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës kanë marrë pjesë sot në vendosjen e gurëthemelit të një çerdheje në Bardhosh të Prishtinës.

Por, ky përurim duket të jetë “shfrytëzuar” për një përplasje mes Kurtit e Ramës të cilët kanë kritikuar punët e njëri-tjetrit.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurtit që të zhbllokoj buxhetin e kryeqytetit, i cili sipas Ramës është shkaktar i bllokimit të disa projekteve madhore në kryeqytet.

“Është mirë kur kemi një bashkëpunim mes nivelit qendror edhe kryeqytetit, edhe po e shohim tash një fillim të mirëfilltë këtu me një çerdhe në Bardhosh. Kemi edhe një numër të madh të projekteve në kryeqytet, që unë kisha dashur me ju lut kryeministrit në detyrë publikisht që të zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit, i cili tashmë është i bllokuar, bartja po ashtu. Projekte të mëdha si unaza e kryeqytetit që është 206 milionë, 82 janë, edhe ato mundemi me i shty përpara. Janë projekte për kryeqytetin. Po ashtu të takohemi, se nuk jemi takuar ende këto katër vjet unë e kryeministri për të mirën e kryeqytetit. Pra, edhe këto projekte janë minore në raport me projektet tjera madhore që janë me rëndësi të madhe për kryeqytetin. Të bëhemi bashkë e t’i grahim proceseve të mëdha, e jo këtyre të voglat” , tha Rama.

Por, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se investimet e mëdha kërkojnë planifikime tjera, e që sipas tij është plan shumëvjeçar dhe duhet bërë ndryshe e ndoshta me dikë tjetër, pasi sipas tij Rama nga vjeshta duhet të gjej një punë tjetër, duke aluduar në humbjen e zgjedhjeve lokale të tetorit.

“Së pari, fëmijët janë të vegjël, por asnjë çerdhe nuk është minore. Çdo çerdhe duhet të trajtohet me seriozitet. Së dyti, unë e kam takuar kryetarin e Komunës së Prishtinës disa herë në zyrën time dhe investimet janë 12 milionë e 243 mijë euro në fushën e arsimit në kryeqytet. Dhe këtu jemi për fushën e arsimit, jo për çështje të tjera. Kemi edhe investime të tjera, por investimet madhore që janë shumëvjeçare kërkojnë planifikime të tjera. Ky është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. E, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”, tha Kurti.