Kryetari i Vetëvendosjes në Lipjan kthehet djathtas, aderon në LDK
Lidhja Demokratike e Kosovës të dielën ka zgjedhur Lipjanin që të bëjë një vizitë aty për të prezantuar kandidatët e saj për deputetë nga kjo komunë, në mesin e të cilëve ishte edhe Arben Bahtiri, kryetar i deritashëm i Qendrës së VV-së në këtë komunë, si dhe asamblist i KK të Lipjanit.
Lajme
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se fitorja më 8 qershor arrihet me vetëbesim dhe përqendrim për të qeverisur në interes të qytetarëve.
Sipas tij, qeverisja e LDK-së do ta eliminojë korrupsionin dhe do ta forcojë shtetin ligjor.
“Ajo që ne presim është një fitore shumë e madhe, është një borxh që ne do t’ia lajmë Kosovës në mënyrë që ta shkëpusim këtë qeverisje, e cila ka degraduar, dhe që Kosovës t’i sigurojmë një qeverisje që do ta zhvillojë vendin, do të ofrojë shëndetësi të mirë dhe një qeverisje që do të eliminojë korrupsionin dhe forcojë shtetin ligjor”, tha pos tjerash Mustafa.
Arben Bahtiri, deri dje anëtar i VV-së, tha se ka vendosur të kthehet djathtas.
“Unë sot kam vendosur të bëj kthesën, të kthehem djathtas. Kjo kthesë djathtas do të triumfojë edhe me akademik Isa Mustafën si kryeministër i Kosovës më 8 qershor”, u shpreh ai.
(KosovaPress)