Kryetari i Stambollit, kundërshtari i Erdoganit, Ekrem Imamoglu përballet me deri në 2,352 vite burg për korrupsion
Kryebashkiaku i shkarkuar i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga figurat më të njohura të opozitës turke, po përballet me akuza të rënda që mund t’i sjellin një dënim prej deri në 2,352 vite burg. Sipas njoftimit të bërë të martën nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit, hetimet ndaj asaj që prokurorët e quajnë “organizata…
Bota
Kryebashkiaku i shkarkuar i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga figurat më të njohura të opozitës turke, po përballet me akuza të rënda që mund t’i sjellin një dënim prej deri në 2,352 vite burg.
Sipas njoftimit të bërë të martën nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit, hetimet ndaj asaj që prokurorët e quajnë “organizata kriminale Imamoglu” janë përfunduar dhe është përgatitur një aktakuzë prej 3,900 faqesh nga Byroja e Hetimit të Krimit të Organizuar, transmeton lajmi.net.
Imamoglu, i cili u arrestua më herët këtë vit bashkë me 105 persona të tjerë, akuzohet për korrupsion, mashtrim, ryshfet dhe krim të organizuar. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si politike.
Kryeprokurori Akin Gurlek deklaroi se aktakuza përfshin 143 vepra penale të ndara dhe përfshin gjithsej 402 të dyshuar.
“Ne kemi punuar intensivisht. Janë përgatitur gjithsej 3,900 faqe. Do të paraqesim një padi kundër 402 personave. Ekrem Imamoglu është themeluesi dhe udhëheqësi i organizatës”, tha Gurlek për gazetarët.
Sipas prokurorisë, hetimi përqendrohet në manipulime të tenderëve komunalë dhe blerje të paligjshme pronash gjatë kohës kur Imamoglu drejtonte Bashkinë e Stambollit. Hetuesit pretendojnë se krimet kanë ndodhur përgjatë një periudhe 10-vjeçare, duke shkaktuar një dëm publik prej rreth 3.8 miliardë dollarësh.
Në dosje janë përfshirë edhe mesazhe në WhatsApp të kryetarit të bashkisë së Beylikduzus, Mehmet Murat Calik, aleat politik i Imamoglut, të cilat prokuroria pretendon se përmbajnë elemente rrëfimi dhe koordinimi të veprimeve.
Autoritetet thanë gjithashtu se janë identifikuar 95 prona të paluajtshme të lidhura me çështjen, megjithëse vlerësimet nuk bazohen në çmimet aktuale të tregut.
Aktakuza kërkon për Imamoglun një dënim që varion nga 828 deri në 2,352 vjet burg.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Imamoglu, figurë e rëndësishme e Partisë Republikane Popullore (CHP) dhe një nga rivalët kryesorë të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, shihet si një nga sfiduesit më seriozë të pushtetit aktual në Turqi./lajmi.net/