Kryetari i Prishtinës tregon sa miliona përfitime do të sillte festivali “Sunny Hill” këtë vit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media ka folur për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.

Lajme

16/06/2022 12:14

Ai ka deklaruar se për zhvendosjen e festivalit është fajtore Qeveria pasi që janë zvarritur procedurat, shkruan lajmi.net.

“Për hir të transparencës së plotë dhe bashkëpunimit, Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht në dijeni për pikat e kontratës e cila ka qenë e gatshme për nënshkrim. Në kontratë theksohet se nëse për tri vjet, festivali “Sunny Hill” nuk mbahet për çfarëdo arsye, atëherë automatikisht prona i rikthehet Komunës së Prishtinës. Hapësira e dhënë në shfrytëzim do të jetë gjatë tërë vitit park publik i hapur për të gjithë qytetarët e vendit, ndërsa komuna e Prishtinës gjatë vitit do të ketë në dispozicion 60 ditë për organizim edhe për festivale të tjera. Kam besimin e plotë se festivali “Sunny Hill” nga viti tjetër e tutje do të jetë sërish në shtëpinë e vet në Prishtinë”, ka thënë ndër të tjerash Rama.

Kryetari i Prishtinës ka folur edhe për arsyen pse e ka ofruar Komuna në shfrytëzim pronën komunale për 99 vite.

“Numri 99 është abstrakt, pasi që ne e kemi që dy herë në vit duhet të raportojmë për çdo pronë që është dhënë në shfrytëzim. Po ashtu në kontratë e kemi që çdo tri vjet rishikohet marrëveshja, gjithashtu e kemi që në 25 vjet prap ka rishikim të kontratës dhe prona mund t’i kthehet komunës. Si të them, 99-shin nuk e kam pru unë, e kam gjetur këtu sepse Qeveria e kaluar e ka vendos që kjo tokë t’i ipet në shfrytëzim për 99 vite”, ka thënë Rama.

Në fund, i pari i Prishtinës ka treguar edhe sa miliona euro ishte parashikuar që të përfitonte komuna nga mbajtja e festivalit në kryeqytet.

“Sipas kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i kryeqytetit ka qenë 7-8 milionë euro, ndërsa këtë vit ishte parashikuar të jetë përfitimi deri në 12 milionë euro”, ka thënë Rama. /Lajmi.net/