Kryetari i Gjykatës së Gjilanit vendos mos të bëjë kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit që pëlqeu videon e Kurtit
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, si autoritet kompetent, ka vendosur që mos të bëjë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatësit Naser Maliqi, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook, kishte pëlqyer një video ku shihet Kryeministri aktual Albin Kurti me zyrtarë të tjerë të…

Lajme
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, si autoritet kompetent, ka vendosur që mos të bëjë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatësit Naser Maliqi, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook, kishte pëlqyer një video ku shihet Kryeministri aktual Albin Kurti me zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes në një restorant në Podujevë.
Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Sabit Shkodra, zëdhënës i kësaj Gjykate.
“Ju njoftojmë se janë grumbulluar provat, por është vendosur mos me bo kërkesë për fillim të hetimeve disiplinore ndaj gjyqtarit në fjalë”, thuhet në përgjigje.
Lidhur me pëlqimin në atë video të Kurtit në janar 2025, gjyqtari Maliqi, i cili gjykon lëndët në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjilan, ishte përgjigjur se nuk e ka bërë një gjë të tillë, vetëm nëse ia kanë marrë telefonin fëmijët.
“Jo, jo, s’di as nuk i këqyri këto sene. Bon vaki e kam lanë çelë, e kanë marrë fëmija e kanë këqyrë aty…”, tha Maliqi.
Ai theksoi se atë “like” nuk e ka bërë me vetëdije.
“Jo, jo çfarë”, përfundoi Maliqi.
Në këtë video, Kurti shihet teksa shkruan në një letër, e të cilën ua sqaron të pranishmëve në tavolinë me të.
“Masa here shpejtësia në katror thye për dy, qeshtu është energjia kinetike a po? Masa here shpejtësia në katror thye për dy, nejse këta po e shohin tash çka ke thanë…masa here shpejtësia në katror thye për dy. Masa na vyn shumë me datën 9 shkurt, masa i bjen votues, masa i bjen 500 mijë vota. Ma e rëndësishme se masa është shpejtësia, kur ta dyfishojsh shpejtësinë e katërfishon energjinë”, shprehet Kurti.
Pas kësaj, ai u duartrokit nga të pranishmit.
Në profilin në Facebook ku është publikuar ajo video, në mesin e mijëra pëlqimeve, figuronte edhe ai i gjyqtarit Naser Maliqi.
Me Kodin Etikës Profesionale të Gjyqtarëve ndalohet çfarëdo përkrahje, qoftë edhe përmes mediave sociale, për aktivitete politike. Madje, aty përmendet edhe ndalimi i përkrahjes edhe për anëtarët e familjes që mund të jenë pjesë e politikës.
“Gjyqtari përmbahet nga sjelljet që mund të japin përshtypje te publiku se është politikisht aktiv, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në aktivitetet politike në formë përkrahjeje të ndonjë nga anëtarët e familjes së ngushtë dhe përmes çdo forumi apo mediumi, duke përfshirë mediat sociale”, thuhet në Nenin 2.2.4 të Kodit të Etikës Profesionale të Gjyqtarëve.