Kryetari i Gjilanit i jep mirënjohje “Nderi i Qytetit” një personi që e adhuron Enver Hoxhën, por i pren fotografitë në Facebook

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka dekoruar Pajazit Zymerin me mirënjohje “Nderi i Qytetit”, gjatë një vizite në shtëpinë e tij. Por një detaj që Hyseni e ka fshehur në postimin e tij në Facebook është portreti i diktatorit Enver Hoxha. Portreti i diktatorit zë vend të madh në shtëpinë e Zymerit, por…

Lajme

09/08/2025 19:18

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka dekoruar Pajazit Zymerin me mirënjohje “Nderi i Qytetit”, gjatë një vizite në shtëpinë e tij.

Por një detaj që Hyseni e ka fshehur në postimin e tij në Facebook është portreti i diktatorit Enver Hoxha.

Portreti i diktatorit zë vend të madh në shtëpinë e Zymerit, por nga kryetari Hyseni është prerë në të gjitha fotografitë e postuar.

Të gjitha imazhet janë prerë me kujdes, duke i fshirë gjurmët e Enver Hoxhës, që konsiderohet njëri nga dikatorët më të egër në vendet e Evropës pas luftës së dytë botërore.

Fotografia e plotë, pa ndërhyrje: 

Në postimin e Hyseni-it, Zymeri përshkruhet si një patriot që qëndroi i palëkundur në luftën për liri, një pjesëmarrës aktiv në Ballin Kombëtar dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Baca Pajazit, që në vitin 1969 iu bashkua Ballit Kombëtar në Austri, vazhdoi aktivitetin e tij patriotik në Lëvizjen Popullore në diasporë, duke bashkëpunuar me figura të njohura si Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi. Mori pjesë në demonstratat historike të vitit 1981 në Zvicër, u përball me arrestime e tortura, por kurrë nuk u tërhoq nga rruga e lirisë.Kontributi i tij shtrihet nga ndihma për bashkatdhetarët në mërgim, te mbështetja financiare për fondin “Vendlindja Thërret”, e deri te pjesëmarrja si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 121 gjatë Betejës së Pashtrikut.Nderim e mirënjohje të përjetshme për veprën e tij patriotike!”, ka shkruar ai.