Kryetarët e komunave harrojnë problemet komunale në kohë fushate

Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku la komunën për të prezantuar kandidatët e PDK-së nga komuna e tij për deputet të Kosovës në ditën e parë të fushatës, kurse njëjtë si PDK-ja vepruan edhe parti të tjera.

Lajme

29/05/2014 23:29

Ka kohë që afër vetes kreu i LDK-së, Isa Mustafa mban kryetarin e Podujevës, Agim Veliun. Edhe Lutfi Haziri, i Gjilanit, dhe Haki Rugova, i Istogut, harruan detyrën për të cilën u zgjodhën nga qytetarët, raporton KTV.

Për AKR-në ndërkohë loboi e para e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, si dhe ai i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Kishte premtuar se do jetë 24 orë vetëm kryetar komune, por Shpend Ahmeti tash e dy ditë po lë Komunën për të marrë pjesë në mitingje të Vetëvendosjes.

Kryetari i Prishtinës, ai i Gjilanit e i Gjakovës janë ata që po kritikohen më së shumti, ngase vetëm 6 muaj më parë premtuan ndryshime të mëdha.

Ministria e Pushtetit Lokal nuk ka dashur të komentojë lënien anash të përgjegjësive komunale nga kryetarët, duke thënë se bazuar në legjislacionin për vetëqeverisje lokale nuk ka dispozitë ligjore kufizuese për marrjen pjesë të kryetarëve të komunave në fushatë parazgjedhore të subjekteve politike.

Por ndryshe mendon organizata joqeveritare ‘INPO’. Ata thonë se në kohën kur edhe kryetarët dhe nënkryetarët dalin në fushatë, shkelet ligji.