Kryetar i Pejës apo deputet në Kuvendin e Kosovës? Gazmend Muhaxheri konfirmon pozitën që do ta mbajë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 9 shkurt. Pas më shumë se një muaji me 15 mars, KQZ doli me rezultatet finale, ku kandidatët për deputetë nga listat e subjekteve dhe koalicioneve politike mësuan fatin e tyre nëse kanë siguruar apo jo ulëse në Kuvendin e Kosovës…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 9 shkurt.
Pas më shumë se një muaji me 15 mars, KQZ doli me rezultatet finale, ku kandidatët për deputetë nga listat e subjekteve dhe koalicioneve politike mësuan fatin e tyre nëse kanë siguruar apo jo ulëse në Kuvendin e Kosovës për legjislaturën e re e cila pritet të jetësohet së shpejti.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota apo 42.30%, PDK është renditur e dyta me 196,474 apo 20.95%, LDK e treta me 171,357 apo 18.27%, AAK-Nisma me 66,256 vota apo 7.06%.
Në listat e kandidatëve për deputetë ishin edhe kryetarë të komunave.
Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës ka arritur të sigurojë mandatin e deputetit, megjithatë në një prononcim për lajmi.net ai konfirmoi se nuk do të jetë as këtë herë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Muhaxheri bëri të ditur se ka dërguar kërkesën në KQZ se nuk do ta pranoi këtë mandat.
“Kam dorëzuar dorëheqjen, i kam dërguar email kryetarit të KQZ-së se nuk do ta pranojë mandatin dhe kam kërkuar që të më heq nga lista para certifikimit të rezultateve”, ka thënë shkurtimisht Muhaxheri.
Lajmi.net ka provuar të kontaktoj edhe me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti për ta pyetur nëse edhe ai do ta bëjë veprimin e njëjtë, megjithatë Ahmeti nuk është përgjigjur.
Gazmend Muhaxheri, por edhe emra të tjerë në politikë shpesh herë kanë përdorur metodën e mbledhjes së votave për parti. Kësisoj qytetarët votojnë për kryetarët e komunave si emra, e në fakt ata vazhdojnë punën aty dhe nuk merren fare me Kuvendin e Kosovës- e kështu vendi i tyre i lirohet dikujt që mori shumë më pak vota e që qytetarët ndoshta nuk deshën ta bëjnë pjesë të Parlamentit.
Arben Gashi dhe Paris Guri mund të bëhen pjesë e listës së deputetëve të LDK-së, në rast se edhe Ahmeti vepron njësoj sikurse Muhaxheri./Lajmi.net/