Kryesuesi i KGJK-së: Kemi prioritizuar rastet e gazetarëve, dënimet janë të ulëta
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) tha se gjyqësori ka prioritizuar rastet e gazetarëve, megjithatë sipas tij politika ndëshkimore në penale është e butë. Duke folur për raportin e Reporterëve pa Kufij lidhur me indeksin botëror të lirisë së shtypit, në të cilin Kosova është ranguar në pozitën e 99-të, Zogaj tha…

Lajme
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) tha se gjyqësori ka prioritizuar rastet e gazetarëve, megjithatë sipas tij politika ndëshkimore në penale është e butë.
Duke folur për raportin e Reporterëve pa Kufij lidhur me indeksin botëror të lirisë së shtypit, në të cilin Kosova është ranguar në pozitën e 99-të, Zogaj tha se ky raport përbën njërin prej lajmeve më të këqija për Republikën e Kosovës.
“Nuk kam ndërmend me përjashtu as përgjegjësinë e sistemit gjyqësor në këtë pjesë, por sigurisht që kjo nënkupton që duhet të kishim një reflektim të përgjithshëm të këtij raporti për shkak se më duket që liria e medias është një prej parametrave për me mat nivelin e zhvillimit të demokracisë në një vend dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, ky raport përfaqëson një alarm edhe për sektorin e drejtësisë në përgjithësi, por edhe për gjyqësorin”, tha Zogaj.
I pari i KGJK-së tha se vitet e fundit kanë ndërmarrë veprime për të adresuar në mënyrë të duhur rastet e gazetarëve, si në penale ashtu edhe në rastet kur ka padi në tendencë për të penguar punën e gazetarëve- siç njihen paditë SLAPP.
“KGJK-ja me Strategjinë për Qasje në Drejtësi ka prioritizuar këto raste. Në qoftëse e shikojmë me shifra, ne sot kemi diku mbi 600 raste të fyerjeve dhe shpifjeve, ku bëjnë pjesë edhe rastet e gazetarëve”, tha Zogaj.
Ai tha se këto raste po trajtohen me profesionalizëm të lartë. Tha se gjatë trajtimit të këtyre rasteve duhet të krijohet standard të sjelljes dhe se ato raste duhet të trajtohen në afat rekord.
Por, ai tha se politika ndëshkimore në penale është e ulët, por që sipas tij, politika ndëshkimore nuk mund të ndryshojë për një ditë. /BetimipërDrejtësi