Kryesuesi i Bordit të BQK-së s’e “llogarit” ligjin, bën thirrje t’i votohet gruaja e tij si kandidate për asamble nga radhët e VV-së

Kryesuesi i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja ka shkelur ligjin. Ai publikisht, përmes një postimi në rrjete sociale ka bërë thirrje për të votuar gruan e tij, kandidate për asamble nga radhët e VV-së. Mimoza Nurboja është bashkëshortja e tij, e cila mban numrin 16 në listën e VV-së për Komunën e Pejës, kandidat për…

Lajme

04/09/2025 13:19

Kryesuesi i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja ka shkelur ligjin.

Ai publikisht, përmes një postimi në rrjete sociale ka bërë thirrje për të votuar gruan e tij, kandidate për asamble nga radhët e VV-së.

Mimoza Nurboja është bashkëshortja e tij, e cila mban numrin 16 në listën e VV-së për Komunën e Pejës, kandidat për kryetar të kësaj komune nga të cilët është Taulant Kelmendi.

Bashkim Nurboja, në shkurt të vitit 2023, është zgjedhur kryesues i Bordit të BQK-së.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimim si në vijim: Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv”, kishte njoftuar BQK.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bordi i Bankës Qendrore përbëhet nga Guvernatori dhe katër (4) anëtarë joekzekutivë, të cilët ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen e administrimit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore.

Kujtojmë se Bashkim Nurboja ka qenë kandidat për deputetë nga radhët e VV’së si dhe ka qenë kandidat për kryetar të Pejës nga kjo parti në vitin 2017.