Kryeshefi i “Eko-Regjionit” ndalohet për 48 orë nga Prokuroria Speciale
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë i dyshuari Burim Shala, kryeshef i kompanisë së pastrimit “Ekoregjioni” në Prizren Sipas Prokurorisë, Shala dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të…
Lajme
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë i dyshuari Burim Shala, kryeshef i kompanisë së pastrimit “Ekoregjioni” në Prizren
Sipas Prokurorisë, Shala dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Arrestimi i tij është bërë në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për aktivitete të kundërligjshme në fushën e prokurimit publik. Hetimet janë në vazhdim.
Arrestimi i sotëm dhe arrestimi i dy të dyshuarve tjerë të hënën, ka ndodhur pas hulumtimit të zhvilluar nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me tenderin afër 400 mijë euro për blerjen e 5 kamionëve dhe një autofshese që ishte transmetuar në mars 2025.
Në ditën e aksionit të Prokurorisë, prokurori i rastit, Halim Borovci kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se përveç bastisjeve në zyrat e Ekoregjionit, është bastisur dhe shtëpia e kryeshefit Burim Shala.
Kompania kishte njoftuar se Shala prej disa ditësh ndodhet jashtë vendit dhe se në asnjë rrethanë nuk i shmanget përgjegjësisë apo drejtësisë, por pritet të kthehet brenda javës.
Të arrestuar në aksionin e Prokurorisë ishin Arbër Gashi- shef i njëjsisë së ekoregjionit në Prizren dhe R.Z.- nga kompania “Dielli” që ka shitur kamionat.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z. A.G dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e PSRK-së.
Prokuroria bëri të ditur se hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.