Kryeqyteti ndan mbi 1.8 milion euro për riparimin e rrugëve, kontrata vjen mes valës së projekteve infrastrukturore të Ramës

Komuna e Prishtinës ka bërë një tjetër hap në drejtim të investimeve në infrastrukturën rrugore, duke dhënë kontratën për riparimin e rrugëve me asfalt dhe zhavorr në territorin e kryeqytetit. Sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit publik, Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka shpallur fituesin e kontratës për “Ofrimin e shërbimeve profesionale për riparimin…

Lajme

16/07/2026 10:04

Komuna e Prishtinës ka bërë një tjetër hap në drejtim të investimeve në infrastrukturën rrugore, duke dhënë kontratën për riparimin e rrugëve me asfalt dhe zhavorr në territorin e kryeqytetit.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit publik, Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka shpallur fituesin e kontratës për “Ofrimin e shërbimeve profesionale për riparimin dhe shtrimin e rrugëve me zhavorr dhe asfalt në Komunën e Prishtinës”, me një vlerë të parashikuar prej 1 milion e 820 mijë eurosh.

Kontrata është realizuar përmes procedurës së hapur të prokurimit dhe ka për qëllim ndërhyrjet në rrugët që kanë nevojë për sanim, duke përfshirë riparimin e shtresave të asfaltit dhe rrugëve me zhavorr në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Ky është një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore të Prishtinës, i cili vjen në një periudhë kur kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka intensifikuar njoftimet për projekte të reja dhe punime në terren.

Vetëm pak ditë më parë, Rama bëri të ditur se është hapur për qarkullim gjysma e parë e rrugës “Fehmi Lladrovci”, ndërsa gjatë javëve të fundit ka promovuar edhe projekte tjera përshirë, punimet në rrugën “Bajram Kelmendi”, si dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit.

Kontrata prej 1.82 milionë eurosh pritet të mundësojë sanimin e dhjetëra segmenteve rrugore, me synimin për përmirësimin e qarkullimit dhe kushteve të lëvizjes për qytetarët në pjesë të ndryshme të Prishtinës. /Lajmi.net/