Kryeprokurori, peng i PDK-së e LDK-së

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë, gjatë përurimit të zyrave të reja të Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, tha se po bëhen hapa të domosdoshëm për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e sistemit të drejtësisë. Por, siç duket, kryeministri ndryshe deklaron dhe krejt ndryshe vepron.

Lajme

07/04/2015 12:57

Burime të afërta me PDK-në dhe LDK-në, që dikur e kishin ndërmjetësuar arritjen e koalicionit qeverisë mes këtyre dy partive, kanë thënë për lajmi.net se mes partnerëve të koalicionit kanë filluar përplasje të mëdha për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo situatë e krijuar rreth kryeprokurorit të Shtetit, i cila që nga paslufta, megjithatë ishte zgjedhur kryesisht në mënyrë transparente dhe pa interferime të theksuara politike, hedh poshtë zotimet e Mustafës për pavarësimin e gjyqësorit.

“ Lidhja Demokratike e Kosovës, siç bëjnë të ditur këto burime, është duke u munduar ta kthejë tërë procesin në pikën zero për ta përkrahur Laura Pulën, kurse Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pajtuar që të kthehet procesi në pikën zero, sipas këtyre burimeve, po e përkrah ish-kandidatin Shyqeri Syla”, ka thënë për lajmi.net me kusht anonimiteti, burimi që për shkak të pozicionit që mban, ka informacione bredna të dyja partive.

Prokuroria e Shtetit prej gati një viti e mbetur pa udhëheqës është përfshirë në një kaos të madh. Ndërsa, lufta brenda llojit është rritur dukshëm edhe në Këshillin Prokurorial, aq saqë eksponentët e saj, sipas burimit të lajmi.net, ishin përfshirë direkt në agjendat e grupeve politike, duke lexuar edhe fjalime të shkruara nga tjetërkush.

“E në tërë këtë kaos, presidentja Atifete Jahjaga, për shkak të presioneve politike ka bllokuar dekretimin e kryeprokurorit të zgjedhur Aleksandër Lumezi, i cili nuk shihet si i afërt me asnjë subjekt politik. Madje, pas zgjedhjes së Lumezit edhe Ministria e Drejtësisë ishte aktivizuar për të bërë ndryshime të shpejta ligjore në procedurat e zgjedhjes së kryeprokurorit dhe prokurorëve, sepse kishte tendencë që ta shtyjë drejt pozitës së kryeprokurorit të shtetit Enver Hasanin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kjo tendencë e Ministrisë së Drejtësisë e drejtuar nga ministri Hajredin Kuçi ishte ngritur në Kuvend edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ndërsa, ishte ripërsëritur edhe nga këshilltari i presidentes, Dastid Pallaska.

Dekretimi i kryeprokurorit të Shtetit tashmë është bllokuar në zyrën e presidentes Jahjaga dhe është në duar të saj nëse do të dorëzohet para presioneve politike të PDK-së dhe LDK-së apo do t’iu bëj ballë dhe do ta dekretojë kryeprokurorin tashmë të zgjedhur, Aleksandër Lumezin. /lajmi.net/