Kryeprokurori Gashi takon të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA-së, diskutojnë forcimin e sundimit të ligji

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Sipas komunikatës së Prokurorisë së Shtetit, gjatë takimit është diskutuar për prioritetet e mandatit të kryeprokurorit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Ambasadës së SHBA-së. Gashi…

Lajme

12/08/2026 18:49

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Sipas komunikatës së Prokurorisë së Shtetit, gjatë takimit është diskutuar për prioritetet e mandatit të kryeprokurorit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Ambasadës së SHBA-së.

Gashi e ka informuar Prattipatin për prioritetet e mandatit të tij, të cilat, sipas komunikatës, synojnë konsolidimin e mëtejshëm të institucionit, luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe formave të tjera të kriminalitetit.

Në takim është diskutuar edhe për forcimin e pavarësisë dhe integritetit institucional, si dhe për reformat që synojnë rritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës dhe forcimin e llogaridhënies në sistemin prokurorial.

Kryeprokurori Gashi ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Ambasadën e SHBA-së, me fokus të veçantë në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. /Lajmi.net/