Kryeprokurori Gashi kërkon më shumë efikasitet dhe llogaridhënie nga tri prokuroritë në Kosovë

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka kërkuar rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe forcimin e llogaridhënies në Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Sipas komunikatës, Gashi, së bashku me zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, të hënën ka zhvilluar…

Lajme

20/10/2026 16:19

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka kërkuar rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe forcimin e llogaridhënies në Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas komunikatës, Gashi, së bashku me zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, të hënën ka zhvilluar vizita zyrtare në këto tri prokurori.

Vizitat janë realizuar në kuadër të iniciativës për t’i vizituar të gjitha prokuroritë e vendit, me qëllim të dëgjimit të drejtpërdrejtë të prokurorëve lidhur me sfidat e punës së tyre të përditshme, si dhe identifikimin e nevojave profesionale dhe problemeve që kërkojnë zgjidhje institucionale.

Gjatë takimeve, Gashi ka prezantuar veprimet e ndërmarra që nga emërimi i tij, duke vënë theksin te krijimi i mekanizmave për avancimin e cilësisë së punës dhe forcimin e integritetit të prokurorëve të shtetit.

Ai gjithashtu u ka ofruar mbështetje prokurorëve në ushtrimin e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor, me synim forcimin e sundimit të ligjit.

Në fund, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga tri prokuroritë rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies në ushtrimin e përgjegjësive të tyre. /Lajmi.net/