Kryeministri zelandez “digjet” për gërshetat e një kameriereje!

Kryeministri i Zelandës së Re, John Key, i ka kërkuar falje publike një kameriereje, e cila punon në një kafene në Auckland, dhe të cilës ai nganjëherë, “për shaka” ia tërhiqte flokët e saj të bukura e të gjata.

Bota

22/04/2015 15:27

Dalja në publik e këtij lajmi ka bërë bujë të madhe në Zelandë të Re, ndërkohë që në rrjetet sociale, qytetarët nuk rreshtin duke kërkuar dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Kamerierja, emri i së cilës nuk është bërë publik, shkroi në një blog se kryeministri ia kishte prekur disa herë flokët dhe siç ka thënë ajo, kishte ndodhur edhe t’ia tërhiqte flokët kur ato i kishte me gërsheta.

Ajo ka shkruar se fillimisht ia kishte tërhequr vërejtjen përmes truprojave se nuk i pëlqente për t’ia prekur dhe as tërhequr flokët, por meqë kryeministri nuk po kuptonte, ajo kishte filluar t’i shmangej sa herë që ai futej në kafene.

Jonh Key, “çun gazmor”, e kishte përsëritur edhe njëherë veprimin e tij të çuditshëm dhe të pahijshëm dhe kamerierja kishte kërkuar prej tij që gjeste të tilla të mos i përsëriste më ndaj saj.

Por lajmi “mori dhenë” dhe incidenti ndezi kritika të ashpra nga një parti opozitare dhe publiku zelandez, që detyruan kryeministrin të kërkojë falje publike.

french-braid

Kryeministri Key tha të mërkurën se i kërkon falje publike femrës, të cilës siç tha ai, nuk ka pasur për qëllim ta shqetësoj, por thjeshtë e ka bërë për shaka.

Ai u tha gazetarëve se me stafin e kafenesë, të cilën e frekuenton shpeshherë, ka raporte të ngrohta, dhe se ndonjëherë ka bërë edhe shaka të tilla, të cilat është zotuar se më nuk do t’i përsëris.

Përpara se të kërkojë falje publike, kryeministri i kishte kërkuar falje sy më sy kamerieres, dhe në shenjë respekti ia kishte ofruar dy shishe vere, gjë që është vlerësuar keq në opinion.

Një nga udhëheqëset e Partisë së Gjelbër, Metiria Turei, duke kritikuar sjelljen e kryeministrit, ka thënë se veprimet e tij nxisin shqetësimin se deri ku mund të shkojë ngacmimi në vendin e punës në Zelandën e Re.

“Ne si politikanë jemi përgjegjës që t’i bëjmë njerëzit të ndjehen të sigurt në punë, ndërsa si qytetarë kemi pritur nga kryeministri Key standarde të larta të sjelljes, jo veprim të tilla të çuditshëm”, ka thënë Turei, e cila ka arsyetuar kërkesat në rritje që zelandasit po i bëjnë kryeministrit të tyre për të dhënë dorëheqje.  /lajmi.net/