Kryeministri Mustafa kërkon më shumë para nga BE dhe BB

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se kapacitetet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Botërore nuk janë shfrytëzuar sa e si duhet. Ai ka kërkuar rol më të madh të tyre në Kosovë.

Lajme

31/03/2015 13:27

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë të martën në konferencën e përbashkët për zhvillim socio-ekonomik për Kosovën, organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Banka Botërore.

Në këtë takim kryeministri Mustafa ka shprehur nevojën për një rol edhe më të madh në Kosovë, të Bashkimit Evropian dhe institucioneve tjera europiane, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime, Banka Gjermane për Zhvillim.

“Mendoj se kapaciteti veçmas i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i Bankës Botërore nuk është shfrytëzuar deri më tani sa dhe si duhet në vendin tonë. Ne kemi nevojë për një pjesëmarrje më të madhe dhe më të fuqishme dhe një impakt të drejtpërdrejtë të këtyre institucioneve në projektet zhvillimore, në sektorin privat dhe në sektorin publik”.

“Projektet e deritanishme të asistencës teknike, është e nevojshme t’i shndërrojmë në projekte të investimeve të drejtpërdrejta në fusha zhvillimore dhe në fusha produktive”, ka thënë Mustafa.

Më tej ai ka shpalosur nevojën për investime edhe më të mëdha në energjetikë, infrastrukturë rrugore , hekurudhore dhe bujqësi.

“Dëshiroj që diskutimet të cilat do të zhvillohen këtu për politikat e caktuara sektoriale të kontribuojnë që ne t’i sqarojmë raportet dhe relacionet tona, dhe që të kemi një përkrahje më të madhe të Bashkimit Evropian, të Bankës Botërore dhe të institucioneve të tjera financiare në zhvillimin e vendit tonë”-është shprehur Mustafa.

Përveç kryeministrit Mustafa, në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian, Banka Botërore, dhe ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku.