Kryeministri Mustafa i beson Listës Serbe, por jo edhe RTK-së (Video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në debatin FOL Hapur, ka thënë se Lista Serbe brenda kësaj dite do të propozojë kandidatin e ri për ministër për Kthim dhe Komunitetet. Ai ka thënë se beson edhe në kthimin e ministrave dhe deutetëve të kësaj liste në Qeveri dhe Kuvend. Po ashtu ka kritikuar qasjen joprofesionale të RTK-së.

Lajme

04/03/2015 13:10

“Mendoj se ministrat serb do të kthehen në Qeveri, dhe sot do ta japin propozimin edhe për ministrin për Kthim. Do të kthehen në Kuvend edhe deputët e kësaj liste. I kam thirrur edhe këtë javë, të takohem me ta, disa janë këtu, disa s’i kam takuar”.

Kështu tha i pari i Qeverisë,së Kosovës të mërkurën në debatin FOL Hapur, duke theksuar se kthimi i serbëve në institucione është mirë të ndodhë sa më shpejt. Ndërsa, rruga e kthimit të tyre, sipas tij, do të jetë rrugë e komunikimit me Qeverinë, brenda së cilës ata edhe duhet t’i bëjnë vërejtjet.

Duke folur lidhur me problemet që së fundi kanë lindur në Televizionin Publik, RTK, kryeministri Mustafa ka thënë se nuk i takon atij që të jep direktiva se si duhet ta bëjë punën ky televizion, por ka kërkuar që ai të ketë qasje profesionale.

“Atyre s’mund t’ua ndalojmë që dikush të jetë anëtarë i LDK-së, ose i PDK-së, ose i VV-së ose AAK-së, por brenda televizionit ata duhet të kenë kritere të barabarta dhe kritere profesionale për çdonjërin prej nesh, për çdo subjekt dhe institucion të Republikës së Kosovës”.

“Fakti që kryeministri i vendit lihet diku pas 15 minutash apo 20 minutash, ndërkaq qitet dikush përpara, do të thotë që këtu s’kemi qasje profesionale”, ka thënë kryeministri Mustafa.

I pyetur mbi vërtetësinë e idesë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë vetëm kur të hiqet barrikada mbi urën e lumit Ibër, Mustafa ka thënë se nuk ka një vendim të prerë.

“Ne kemi biseduar në Bruksel dhe pala jonë ka treguar se jemi të interesuar të bëhet zhbërja civile në komunat e veriut. Të integrohen ata, të zgjidhet problemi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, të zgjidhet problemi i organeve paralel, të cilat Serbia akoma po i stimulon dhe po i vë në komunat veriore edhe përkundër asaj se ato udhëhiqen nga Lista Serbe. Pra, prapë, Beogradi edhe Listës Serbe po ia lë nga një organ paralel”, ka thënë Mustafa.

YouTube player