Kryeministri Mustafa “befason” Gjilanin
Derisa të gjitha strukturat e LDK-së në Gjilan, përfshirë kryesinë, nëndegët, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, ishin duke mbajtur takim si çdo të shtunë të këtij viti, për vizitë befasuese ka ardhur kryeministri dhe kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministrat e Kabinetit, kryetarin e Podujevës, Agim Veliun dhe deputetë të LDK-së nga Gjilani.

Lajme
Në vigjilje të përfundimit të madh të 70-vjetorit të masakrës së Gjilanit, kryeministri Mustafa ka vizituar këtë komunë dhe i ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit, duke respektuar gjakun e dëshmorëve, martirëve dhe heronjve të mëdhenj si: Mulla Idriz Gjilani, Idriz Seferi, Agim Ramadani etj., të cilët, siç citohet të ketë thënë ai, “sublimojnë dhe bashkojnë mijëra viktima e dëshmorë të Anamoravës”.
Para strukturave të LDK-së, Mustafa ka siguruar Gjilanin dhe Anamoravën se do ta kenë kujdesin e qeverisë së Kosovës për zhvillimin në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, në zbutjen e papunësisë, në zgjidhjen e problemit të varfërisë, në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, për të dalë faqebardhë gjatë dhe në fund të mandatit qeverisës.
Nga ana e tij, kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën, duke thënë se strukturat dhe anëtarësia e partisë ka pritur gjatë që në ambientet e tyre të vijë kryeministri i LDK-së dhe kjo tashmë është realitet.
“E di që kohë të gjatë keni pritur që në zyrat dhe ambientet tona të vijë kryeministri i LDK-së. Sot, për dallim prej herëve të tjera, lideri ynë e ka kapitalizuar këtë kërkesë. Muajt e fundit, çdo javë jemi takuar me të gjitha strukturat për ta përcjellë këtë angazhim. Dua të theksoj se prej dhjetorit të kaluar e deri në këtë dhjetor, Gjilani i ka dy fitore të mëdha: e para që e kemi rikthyer qeverisjen në Gjilan dhe e dyta, falë angazhimit, edhe qeverisjen e LDK-së në nivel qendror me kryeministër Isa Mustafën”, është shprehur Haziri.
Të gjitha strukturat e LDK-së në Gjilan rikonfirmojnë unitet në veprim dhe kërkojnë nga deputetët e saj, ministrat në qeveri të Kabinetit e përfaqësuesit legjitim, që të jenë unik në realizimin e programit qeverisës dhe në përfaqësimin e votës qytetare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.