Kryeministri Haradinaj: Qeveria do t’i qëndrojë pranë fermerëve dhe bujqve tanë

"Arsyeja pse jemi këtu është që të dërgojmë porosi, se jemi të vetëdijshëm që prodhimi është ai që do ta mbajë popullsinë në vend", tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas vizitës që bëri sot në fshatin Zajqec të Komunës së Kamenicës.

Lajme

12/07/2019 13:55

Fillimisht, kryeministri Haradinaj, vizitoi fermën e lopëve të fermerit Blerim Aliu në fshatin Zajqec, i cili është përfitues i programeve mbështetëse nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, pasi përgëzoi fermerët për punën që kanë bërë dhe po bëjnë në vazhdimësi, inkurajoi që edhe më tutje të vazhdojnë me këtë intensitet, duke e pasur gjithmonë përkrahjen e tij dhe të qeverisë që drejton për të siguruar kështu zhvillim të prodhimit vendor dhe vende të reja të punës.

“Fermerët si Blerimi, kanë arritur që të ruajnë traditën, të prodhojnë produkte vendore të cilësisë së lartë, duke punësuar njerëzit tanë dhe duke i dhënë shtysë ekonomisë së vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Fermerët, ndërkaq, kërkuan mbështetjen edhe për finalizimin e disa projekteve të kësaj ane.

Po në Zajqec të Kamenicës, kryeministri Haradinaj vizitoi edhe Fabrikën e ujit “Zajqeci”, duke u shprehur që ky investim, i një bashkatdhetari që ka punuar në Zvicër, është një investim domethënës, sepse e ka bërë në vendlindjen e tij dhe është veprimtari prodhuese, pra ujë.

“Fabrika e ujit “Zajqeci”, është dëshmia më e mirë e një kompanie vendore, që ka shënuar sukseset e saj me cilësi të lartë. Inkurajues fakti që një bashkatdhetar i yni, Rrahim Imeri, që ka jetuar dhe punuar në Zvicër, ka zgjedhur atdheun e tij që të investojë dhe t’i ndihmojë zhvillimit ekonomik të vendit, me fabrikën e avancuar që i plotëson standardet dhe pritshmërinë e qytetarëve. Gjatë vizitës në këtë fabrikë shpreha zotimin që si Qeveri e vendit do të qëndrojmë krah kompanive vendore që bashkërisht t’i japim dimension tjetër zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri Haradinaj gjatë vizitës në këtë fabrikë.

Po sot, kryeministri Haradinaj bashkë me Kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati zhvilloi një takim  edhe me fermerët në plantacionin e arrës, në fshatin Kopërnicë të Komunës së Kamenicës, gjithashtu përfitues të programeve mbështetëse nga Qeveria e Kosovës, ku në një hapësirë prej 50 hektarësh, janë mbjellë fidanë arre, me pretendimin që të vazhdohet me një kapacitet deri në 70 hektarë.

Në të ardhmen, sipas fermerëve, pretendohet që të hapet edhe një fabrikë për përpunimin dhe grumbullimin e arrës.

Kryeministri Haradinaj, tha se është inkurajues fakti që ka përpjekje për të punuar në këto zona dhe gjithashtu se me guxim po ndodhin disa investime.

“Mbjellja e 15 mijë fidanëve të arrës është një rast i guximshëm”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar investitorët për këtë hap, por edhe që është interes i të gjithëve që të vazhdohet më tutje me përkrahjen e fermerëve dhe investuesve.

Në këtë fshat, kryeministri Haradinaj bëri edhe hapjen e fushatës së korrje-shirjeve, me ç ‘rast pasi uroi për fillimin e korrje-shirjeve, tha se ka qenë traditë që kjo ngjarje të konsiderohet si një porosi, që jetën duhet krijuar në vendin tonë.

“Uroj që sa më shumë sipërfaqe të Kosovës të mbillen, jo vetëm me grurë, por edhe gjithë drithërat tjerë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se është kënaqësi që janë këtu dhe uroi që të sjellë fat dhe të shkojë mbarë e të ketë produktivitet toka. /Lajmi.net/