Kryeministri Davutoglu paralajmëron vizitë në Kosovë

Kosova dhe Turqia do ta vazhdojnë bashkëpunimin e thellë në shumë fusha. Turqia do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën edhe për njohjet e reja. Kjo është bërë e ditur pas një takim që ka zhvilluar ministrja Ediat Tahiri me kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutoglu. 

Lajme

03/02/2015 15:08

Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu, planifikon që në një të ardhme të afërt ta vizitoj Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur vetë  Davutoglu, gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministren për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e cila po qëndron në vizitë në Izmir të Turqisë. 

Tahiri e Davutolgu në takimet që kanë zhvilluar janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa kryeministri turk  tha se shteti i tij, do të vazhdoj të ndihmoj Kosovën, që të arrijë sa më shumë njohje.

Ministrja Tahiri e falënderoi kryeministrin Davutoglu për mbështetjen që Turqia po ia jep Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë duke lobuar në shtimin e numrit të njohjeve, po ashtu për përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të dyja vendeve. 

Nga ana e tij, kryeministri Davutoglu e ri-konfirmoi mbështetjen e pa rezervë të tij dhe shtetit turk për Kosovën, dhe tha se do të vazhdoj që të angazhohet për forcimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, duke paralajmëruar edhe një vizitë të shpejtë në Kosovë. 

Me këtë rast, u konfirmua se të dyja shtetet ndajnë vlera të përbashkëta euro-atlantike dhe në këtë kontekst u vlerësuan angazhimet serioze të Kosovës për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal.