Kryeministri belg thirrje Evropës të veprojë kundër Trumpit: Sa më shumë ta tolerojmë, aq më i guximshëm bëhet

Evropa duhet t’ia bëjë të qartë presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, se “mjaft është mjaft”, kështu tha kryeministri belg Bart De Wever në Forumin Ekonomik Botëror që po zhvillohet këtë të martë në Davos. “Sa më shumë tolerancë tregoni ndaj tij, aq më i guximshëm bëhet,” tha De Wever, citon AA. Kryeministri belg tha se…

Bota

20/01/2026 16:40

Evropa duhet t’ia bëjë të qartë presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, se “mjaft është mjaft”, kështu tha kryeministri belg Bart De Wever në Forumin Ekonomik Botëror që po zhvillohet këtë të martë në Davos.

“Sa më shumë tolerancë tregoni ndaj tij, aq më i guximshëm bëhet,” tha De Wever, citon AA.

Kryeministri belg tha se rikthimi i konkurrueshmërisë së Europës duhet të jetë prioritet absolut, por theksoi se retorika e fundit e Trump-it për Groenlandën dhe kërcënimet me tarifa paraqesin një sfidë shtesë për BE-në.

Ai pritet të takohet me Trump të mërkurën, së bashku me mbretin Philippe të Belgjikës dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, megjithëse shprehu dyshime nëse takimi do të zhvillohet.

“Vetëm nëse ai takim ndodh, me Trump-in kurrë nuk i dihet,” tha ai.

Të hënën, Trump kërcënoi të vendosë tarifa 200% mbi verën dhe shampanjën franceze pasi presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi të bashkohej me Bordin e Paqes të propozuar nga Trump, një nismë ndërkombëtare fillimisht e fokusuar në Gaza.

Ky veprim pasoi kërcënimet e mëparshme për të vendosur tarifa importi deri në 10% ndaj vendeve europiane që kanë dërguar trupa në Groenlandë, duke u rritur në 25% në qershor.

De Wever tha se Europa duhet të përgjigjet duke forcuar tregun e vetëm, duke rritur konkurrueshmërinë dhe duke krijuar aleanca të reja.

“Duhet të armatosemi,” tha ai. “Këshilli Europian duhet të udhëheqë agjendën dhe të thotë: bëni këtë, dhe asgjë tjetër.”

“Tërhiqu ose shkojmë deri në fund”

Në një intervistë të veçantë për transmetuesin belg VRT NWS, De Wever tha se Europa duhet ta bëjë të qartë se nuk do të tolerojë kërcënime për veprime ushtarake kundër territorit aleat.

“Duhet t’i themi Trump-it, si Europë: ‘Kaq është, dhe jo më tej. Tërhiqu ose do t’i shkojmë deri në fund,’” tha ai.

De Wever pranoi se presioni i mëparshëm i Trump-it ndaj aleatëve për të rritur shpenzimet e mbrojtjes ishte racional.

“Por kërcënimi i aleatëve të NATO-s me ndërhyrje ushtarake në territorin e NATO-s është aq i paprecedentë sa që po i afrohemi një pike thyerjeje,” shtoi ai.

Çështja pritet të diskutohet në një takim joformal të Këshillit Europian të enjten. De Wever tha se tani është e qartë se Europa duhet të veprojë me vendosmëri.

“Më duket e qartë se thika duhet të vihet mbi tavolinë tani,” tha ai.