Kryeinspektori i Punës: Punëtorët trajtohen keq, gjoba më e lartë që kemi shqiptuar është 40 mijë euro
Gjatë vitit 2021 në Kosovë janë raportuar 188 aksidente në vendin e punës, prej tyre 139 lëndime të lehta, 40 lëndime të rënda dhe 9 vdekje.
Lajme
Sipas Inspektoratit të Punës, vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2022 janë raportuar 75 aksidente në vendin e punës, duke u shënuar pesë vdekje.
Këtë fenomen të rëndë, lajmi.net e ka trajtuar në episodin e radhës të emisionit dokumentar “PASOJË”. Agim Millaku nga Inspektorati i Punës është shprehur se inspektorati merret me shkakun e aksidentit.
Ai më tutje thotë se inspektori i punës vendos për procedura administrative, shkallën e gjobës, ndërsa për çështjet e tjera janë procedurat ligjore.
“Ka raste që mbeten edhe invalidë por për pasojat e mëtutjeshme inspektorati i punës nuk i trajton sepse është çështje aty për aty faktet kur ndodh aksidenti është inspektori që e bën inspektimin e gjërave që janë shkaku se pse ka ndodh problemi çka është ndërmarrë dhe çka nuk është ndërmarrë nga ana e punëdhënësit, bën një vlerësim të vetin në raport me dispozitat ligjore dhe merr masat karshi dispozitave ligjore që i ka përcaku dhe kryesisht ka konstatu se shkaktari i aksidentit është ky ose ky problem. Ne merremi me shkakun e aksidentit me veprimet e punëdhënësit, veprimet detyruese që i ka pasur me i marr për parandalimin e aksidentit ose nuk i ka marrë ato veprime dhe karshi këtyre inspektori i punës vendos për procedurat administrative, shkallën e gjobës, për çështje të tjera janë procedurat edhe penale edhe procedura civile që vlerësojnë qoftë për dëmshpërblim, qoftë për ndëshkim”, thotë Millaku.
Millaku më tutje për emisionin dokumentar Pasojë, shprehet se është e nevojshme që punëdhënësit të vetëdijesohen duke përmbushur obligimet e tyre në sigurimin e një vendi të përshtatshëm pune, instruksione të duhura e trajnime të posaçme.
“Po në bazë të vlerësimeve tona zakonisht në shumtën e rasteve punëdhënësi është ai i cili e bart barrën kryesore të përgjegjësisë për arsye sepse gjithçka varet prej tij prej përkushtimit të tij, nuk e ka komoditetin punëmarrësi me kundërshtu punëdhënësin nëse ai ia jep dhe i thotë kështu ose kështu me punu, ia jep instruksionet e duhura, ia jep udhëzimet e duhura, e trajnon, ia jep pajisjet e këto, është arsyetim jo me vend nëse thotë nuk po i mban sepse unë ia kam blerë, por t’i po mundesh si punëdhënës mi larguar për 5 minuta vonesë i thua mos më eja më dhe ia hup mëditjen dhe e dënon për gjëra tërësisht banale, por pse nuk e dënon për atë kur ai e rrezikon vetën dhe i rrezikon edhe të tjerët, pse nuk e dënon kur ai nuk i përmbahet instruksioneve që ia jep punëtori i sigurisë në punë ose menaxheri i tij drejtpërdrejt për me vepru në mënyrë të sigurt dhe pa e rrezikuar vetën dhe të tjerët, kjo është ajo që punëdhënësi rrallë herë mund të arsyetohet se i ka bërë të gjitha por që prapë na ndodhi, po t’i merr këto veprime ne nuk jemi duke kërkuar diçka që duhet shpenzime të mëdha edhe për ekspertiza për laboratorë e të tjera, por qëllimin parësor e kryesor e kemi me mbrojt jetën e punëtorit, mos me ardh në punë i shëndoshë dhe mu kthy në arkivole.”, tha Millaku
Millaku tregon se gjoba më e ulët për çështjet e punës është 500 euro, ndërsa gjoba më e lartë ka qenë 40 mijë euro.
“Gjoba më e vogël e që përcakton ligji nuk mundet të shkojë ndër atë minimumin, por ndodh që edhe 500 ka shqiptuar varet nga stacioni mund të këtë një gjobë të tillë. Gjobën më të lartë që e kemi shqiptuar ka qenë i një rasti të një organizate ndërtimore që është shqiptuar gjoba prej 40 mijë euro. Para dy viteve. Ka qenë aksidenti në punë por rrethanat e tjera në të cilat është gjetë punëdhënësi duke kryer punë në një pamje të parregullt edhe ka marrë rrethana sikur rënduese inspektori dhe ka vendos me dënu me shkallë të lartë”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu thotë se ka raste kur edhe fëmijët dhe të rinjtë pësojnë aksidente të rënda në vendin e punës.
“Ka edhe ksi raste vitin e kaluar kemi pas në Lipjan por ka qenë djali i pronarit në një organizatë prodhuese të betonit, nëse nuk gaboj dikun mbi 16 vjeç një rast kogja i rëndë, ka pas një rast tjetër përsëri në Lipjan dy të rinj i kanë lag teshat dhe kanë marrë flakën e autogjenit m’i terë teshat fati e ka dasht ka qenë lëndim nuk ka qenë vdekje, i ka hy flaka sepse ka shpërthyer zjarri ka qenë afër dhe kanë pësuar djegie të rëndë. Kur jemi tek të rinjtë në veçanti duhet punuesi me pas një kujdes të veçantë që këta assesi nuk guxojnë m’i ekspozu në vendin e punës ku ka rrezik të shtuar me ndodh edhe aksident, por me gjithë përpjekjet përsëri ndodh edhe pse në raport me lëndimet e tjera aksidentet e tjera këto janë shumë të rralla por megjithatë një me qenë por është shumë i dhimbshëm”, tregon ai.
Ai krejt në fund thotë se mungesa e sigurimit të punëtorit po shkakton probleme të mëdha, përderisa ka folur edhe për shpagimet e pamjaftueshme për personat që lëndohen në vendin e punës.
“Mendoj që mungesa e sigurimit të punëtorit shkakton probleme më të mëdha sepse nuk mjafton që një ndërmarrje apo një udhëheqës i asaj ndërmarrje të dënohet me një shumë ta quaj maksimale prej 10 mijë eurove dhe me atë të mbyllet rasti apo të hapet me raport të policisë i cili zgjat me vite të tëra, si nuk është kurrfarë shpagimi për vuajtjet dhe fatkeqësitë që i përjeton i punësuari ka raste kur ta zëmë një të punësuari ia japin një kompensim vetë ndërmarrja apo punëdhënësi prej një marrëveshje të brendshme apo ia jep një kohë rrogën mirëpo kjo nuk është zgjidhje për punëtorët pasi që pas një kohe ata mbesin pa asnjë mundësi dhe ata marrin kompensim prej punëdhënësit por edhe të marrin një pagë e cila u garanton sado pak ta quaj një mirëqenie simbolike për shkak të dëmeve që i pësojnë.”, rrëfen ai. /Lajmi.net/