Kryediplomati çek në OKB kërkon lirimin e gazetares së REL-it të arrestuar në Rusi

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, gjatë një debati në Kombet e Bashkuara i bëri thirrje Moskës që të lirojë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva. Kurmasheva po mbahet nga autoritetet ruse që pothuajse pesë muaj, nën akuza, që ajo, REL-i dhe mbështetësit e saj i mohojnë. Gjatë një debati në Këshillin e…

Bota

15/03/2024 10:40

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, gjatë një debati në Kombet e Bashkuara i bëri thirrje Moskës që të lirojë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.

Kurmasheva po mbahet nga autoritetet ruse që pothuajse pesë muaj, nën akuza, që ajo, REL-i dhe mbështetësit e saj i mohojnë.

Gjatë një debati në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, Lipavsky foli për nevojën e promovimit të një atmosfere të sigurt dhe mbështetëse për gratë, për avokim për të drejtat e grave, aktivistëve, gazetarëve dhe për barazi gjinore.

Ai më pas kritikoi Rusinë, anëtaren e përhershme të Këshillit të Sigurimit, duke thënë se është në kundërshti me parimet themelore të OKB-së me pushtimin e Ukrainës dhe me prishjen e gjithë strukturës së sigurisë që përshkruhet në kartën e OKB-së.

“Dua të shtoj se Çekia i bën thirrje Rusisë që të lirojë nga paraburgimi Alsu Kurmashevan”, tha Lipavsky, duke shtuar se Këshilli i Sigurimit duhet të reformohet, në mënyrë që të shtohen më shumë shtete me qëllim që ky institucion të forcohet.

Kurmashva, gazetare e REL-it që punon në Pragë të Republikës Çeke, ka shtetësi amerikane dhe ruse. Ajo është në paraburgim që nga 18 tetori i vitit 2023 nën akuza për shkelje të të ashtuquajturit ligj për “agjentë të huaj”.

Pavarësisht se ka kaluar pothuajse pesë muaj në paraburgim, Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk e ka përcaktuar atë si person të ndaluar padrejtësisht, siç ka bërë me shtetas të tjerë amerikanë që mbahen në Rusi.

Ky përcaktim do të rriste profilin e rastit kundër Kurmashevas dhe do të bënte që rasti kundër saj të cilësohej si i motivuar politikisht. Edhe dy shtetas të tjerë amerikanë mbahen në Rusi, gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe ish-marinsi amerikan, Paul Whelan. Për të dy, SHBA-ja ka thënë se janë ndaluar padrejtësisht.

Kurmasheva që ka punuar për afër 25 vjet për Shërbimin Tatar-Bashkir të REL-it, u largua nga Praga në majin e vitit të kaluar për të shkuar në Tatarstan për shkak të një emergjence familjare.

Ajo u ndalua përkohësisht derisa po priste që të kthehej në Çeki më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku të dy pasaportat e saj dhe telefoni iu konfiskuan. Pas pesë muajsh pritje për vendimin për rastin e saj, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë pasi autoritetet thanë se ajo kishte dështuar që të regjistronte pasaportën e saj amerikane në Rusi.

Në pamundësi të që largohej nga Rusia pa dokumentet e saj të udhëtimit, Kurmasheva u paraburgos sërish në tetor, kësaj radhe për akuzën se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”. Dy muaj më vonë, asaj iu shtua edhe akuza për shpërndarje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse.

Nëse gjendet fajtore, Kurmasheva mund të dënohet deri me dhjetë vjet burgim.

Shumë kritikë dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se ligji i ashtuquajtur për agjentë të huaj përdoret nga Kremlini për të shtypur disidencën.

Moska po ashtu është akuzuar se ndalon amerikanë dhe i përdorë ata për t’i këmbyer me të burgosurit rusë në Shtetet e Bashkuara. /REL