Kryebashkiaku shqiptar rrah tre persona, i ngacmuan vajzën në Facebook
Kreu i bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, është denoncuar në polici nga një mjek, me pretendimin se e kishte rrahur atë dhe dy persona të tjerë. Motiv i këtij konflikti thuhet të ketë qenë ngacmimi në Facebook ndaj vajzës së kryebashkiakut, nga një 18 vjeçar, gjithashtu i rrahur.
Lajme
Mjeku Dritan Hoxha pretendoi se Zotkaj ka ushtruar dhunë ndaj tij për shkak të bindjeve politike. Policia e Bertatit bën me dije se ndaj kryebashkiakut ka nisur procedimi penal pasi ka goditur me grushte tre persona, pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas deklaratës së policisë, veç mjekut, Zotkaj ka goditi me grushte edhe një 52-vjeçar me inicialet E.D. dhe një 18-vjeçar me inicialet R.D, për të cilët Zotkaj u shpreh dje se janë me precedentë penalë dhe e kanë penguar të ushtrojë detyrën.
Sipas burimeve të “A1 Report” pranë Policisë së Poliçanit, shkak i konfliktit fizik ka qenë një debat në rrjetin social “Facebook” mes njërit prej të sulmuarve, 18-vjeçarit R.D. dhe vajzës së kryebashkiakut Adriatik Zotkaj.
Nga të dhënat, konflikti u iniciua pikërisht në rrjetin virtual, duke shkruar më tej në përplasjen fizike. Në afërsi të poliklinikës së qytetit, kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, vëllai i tij Artur Zotkaj dhe shtetasi me iniciale F.K kanë ushtruar dhunë fizike karshi shtetasve E.D, R.D dhe mjekut Dritan Hoxhaj.
“Berat më datë 19.01.2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. Z, 49 vjeç, banues në Poliçan, pasi pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me grushte shtetasit E.D, 52 vjeç, R.D, 18 vjeç, D.H, 44 vjeç, banues në Poliçan. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e qetësisë Publike” parashikuar nga nenet 90, 237 dhe 274 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas denoncimit publik dhe ligjor, reagoi edhe kryebashkiaku Zotkaj, i cili mohoi të gjitha akuzat, duke thënë se mjeku gënjen. Kryebashkiaku pranoi se ka pasur një konflikt mëngjesin e djeshëm, por se mjeku Hoxha nuk ka qenë i përfshirë në të.
Dhe të për të vërtetuar qëndrimin e tij, Adriatik Zotkaj tha se do t’i vë në dispozicion prokurorisë dhe policisë pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të qytetit, ndërsa shtoi se do të kallëzojë për denoncim të rremë mjekun Dritan Hoxha.
Ai tha se konflikti ka ndodhur mes tij dhe disa personave të tjerë, të cilët sipas tij janë me precedentë penalë dhe e kanë penguar të ushtrojë detyrën. Sipas kryebashkiakut këto sulme janë bërë edhe më parë ndaj tij në prag të fushatës elektorale, duke akuzuar se janë me sfond politik.
Gjithashtu policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:
1.A. Z, 45 vjeç, banues në Poliçan,
2.F,K, 47 vjeç, banues në Poliçan, pasi kanë konsumuar elementet e veprave penale “Prishje e qetësisë Publike’ dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.