Krokodili i quajtur ‘Bin Laden’ terrorizon fshatin ku ka ngrënë dhjetra banorë

10:21 | 10 Qershor 2021

Një krokodil i lumit Nil, i quajtur Osama e me moshë rreth 75-vjeç, ka vrarë një të dhjetën e banorëve të një fshati të vogël në Uganda nga viti 1991 deri në 2005, madje është ngjitur në barkat e peshkatarëve të fshatit Luganga për t’i sulmuar ata.

Bisha thuajse 6-meta e gjatë ka rrëmbyer e vrarë fëmijë teksa mbushnin ujë në liqen, ose notonin pranë barkave të peshkatarëve.

Një nga viktimat e sulmeve të krokodilit ishte një peshkatar që u gjet i copëtuar mbi sipërfaqen e ujit.

Rrjeti Sydney Morning Herald foli me Paul Kyewalyanga, i cili po i jepte rremave të barkës së tij me të vëllanë Peter, kur Osama u ngrit si përbindësh nga uji dhe i rrëmbeu të vëllanë për ta vrarë.

Ai kujton: “Osama doli nga uji thuajse në mënyrë vertikale dhe kërceu mbi barkë. Pjesa e prapme ku ne ishim ulur u fundos. Vëllai im tentoi të shpëtonte por krokodili i kishte kapur këmbën me nofullat e tij gjigande  dhe nisi ta tërhiqte”.

Paul shton më tej: “Peter mbante me dorë anën e tij dhe ulëriste. Ata luftuan për rreth pesë-gjashtë minuta derisa dëgjova zhurmën e diçkaje që këputej. Peter thërriti, ‘Më theu këmbën’ por krokodili e mori gjymtyren dhe u zhyt me te në liqen”.

Fshatarët kishin kërkuar ndihmë për krokodilin dhe më në fund në 2005 ai u kap me ndihmën e 50 peshkatarëve vendas dhe zyrtarëve të botës së egër.

Disa njerëz kërkonin që zvarraniku gjigand të vritej, por zyrtarët thanë se kafsha nuk mund të vritej dhe “askush të mos mbante përgjegjësi”.

Kështu që reptili i kapur iu dha krerëve të programit të shumimit të krokodilëve në Uganda të cilët thanë se shpresojnë që të ndihmojë në lindjen e qindra apo mijëra versioneve të tjerë të vetes, për t’u vrarë më pas nga industria e lëkurave për prodhimin e çantave ‘firmato’.