Kroacia feston 20 vjetorin e ‘Stuhisë’, Serbia mban zi
Autoritetet kroate organizuan një paradë në Zagreb ditën e martë në mbrëmje për të shënuar përvjetorin e operacionit në gusht të vitit 1995, e cila pa forcat kroate të mposhtnin rebelët serbë dhe të rimerrnin 18 për qind të territorit të Kroacisë, duke i dhënë fund luftës.

Lajme
Mijëra spektatorë panë rreth 3,000 ushtarë dhe policë, 300 automjete ushtarake dhe 30 avionë të merrnin pjesë në paradë e cila filloi me këndimin e himnit kombëtar dhe ngritjen e një flamuri të madh i cili u valvit fillimisht në një kështjellë në qytetin e Kninit gjatë operacionit 20 vjet më parë.
“Ky është një marshim paqeje, jo lufte; një paradë dinjiteti me të cilën ne kemi treguar se e vlerësojmë dhe duam vendin tonë. Mbajmë zi për çdo mbrojtës (ushtar kroat në luftën e viteve 1990) që është vrarë, zhdukur apo dha shëndetin për atdheun e tij,” tha presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç, e cila hapi paradën.
“Ne nuk e donim këtë luftë, por ishim të detyruar ta bënim dhe kjo është e vetmja e vërtetë. Ne mbrojtëm veten dhe po vazhdojmë përpara,” shtoi ajo.
Përfaqësues të SHBA-së, Kinës, Polonisë, Lituanisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Maqedonisë ishin në mesin e zyrtarëve të huaj që morën pjesë.
Kryeministri kroat Zoran Milanoviq, tha se Operacioni “Stuhia” ishte i justifikuar në mënyrë për të mbajtur Kroacinë “gjallë dhe të paprekur”.
“Kroacia nuk po feston luftën sot. Ajo s’po feston vuajtjen apo përndjekjen e askujt. Kroacia po feston lirinë dhe paqen; duke festuar fitoren me një zemër të pastër, një pikë kthese që i dha fund një lufte të shëmtuar, imponuar dhe sidomos të ligë,” tha Milanoviq.
Gjeneralët kroatë Ante Gotovina dhe Markac Mladan, u liruan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ku ishin akuzuar për krime lufte kundër serbëve gjatë operacionit.
Gotovina, i cili mori pjesë në paradë, tha se Operacioni “Stuhia” ishte “fillimi paqes”.
“Ai zgjidhi problemin e territoreve të pushtuara dhe mposhti një forcë agresioni,” tha ai.
Ndërsa në Zagreb u festua përvjetori, Serbia mbajti një ngjarje përkujtimore për më shumë se 200,000 serbët që u larguan nga Kroacia për shkak të Operacionit “Stuhia”. Beogradi e sheh operacionin si një spastrim etnik në shkallë të gjerë. Më shumë se 600 njerëz, kryesisht serbë të moshuar, që ndenjën pas u vranë.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq dhe Milorad Dodik, presidenti i entitetit të Republikës Srpska, udhëhoqën ceremoninë të martën në mbrëmje në pikën kufitare Sremska Raca, pika kufitare me Bosnjën, ku serbët që i arratiseshin Operacionit “Stuhia” hynë në Serbi 20 vjet më parë.
Para një turme prej disa mijëra njerëzish, të dy udhëheqësit në mënyrë simbolike hodhën kurora lulesh në lumin Sava, ku refugjatët kaluan ndërsa ia mbathnin.
Vuqiç tha në një fjalim se ishte “e vështirë të gjeje një ditë më të trishtueshme sesa kjo në historinë serbe të kohëve të fundit”, dhe e përshkroi operacionin kroat si “spastrimin më të madh etnik që prej Luftës së Dytë Botërore”.
“Sot ne po i dërgojmë një mesazh të qartë botës, se krimet duhet të falen, por jo të harrohen”, tha ai duke këmbëngulur se Serbia dëshiron marrëdhënie të mira me Kroacinë.
Dodik e lavdëroi Serbinë se kishte marrë shifra të mëdha refugjatësh.
“Serbia bëri gjithçka mundi për të pranuar serbët e dëbuar dhe ishte një strehë për të gjithë ata. Kjo urë përfaqësonte gjithçka në atë kohë: liri, të vërtetë, paqe, një arrati të sigurt nga vdekja,” tha ai.
Nga serbët që u larguan, rreth 50,000 janë kthyer në shtëpitë e tyre në Kroaci.
Autoritetet kroate po planifikojnë një festim të madh ditën e enjte në Knin, një qytet që është një nga simbolet e luftës së viteve 1990, sepse ishte bastion i rebelëve serbë derisa ai u mor përsëri në fillim të Operacionit “Stuhia”.
Një muze i dedikuar Operacionit “Stuhia” do të hapet në kalanë e Kninit, ku Grabar Kitaroviç do të zbulojë një statujë të presidentit kroat të kohës së luftës Franjo Tugjman.
Kurora do të vendosen në një event të udhëhequr nga zyrtarët në sheshin e qytetit, pastaj një këngëtar i njohur kroat, Marko Perkovic Thompson, do të mbajë një koncert në mbrëmje.
Zyrtarët e Kninit, thanë se pritet që rreth 100,000 vizitorë të marrin pjesë në festim.
Në Beograd, të mërkurën, do të ketë një meshë përkujtimore dhe kambanat e kishës dhe sirenat e sulmit ajror do të bien të gjitha në mesditën e përkujtimores./kallxo.com