Kriza me refugjatë: Greqia kërkon ndihmën e Shqipërisë

Lajme

05/04/2016 21:56

Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kocias po përgatit takime me kolegët e tij nga Shqipëria dhe Italia, në të cilat do të bisedohet për krizën e refugjatëve në Ballkan, shkruan sot gazeta e njohur greke “To VIma” duke iu referuar burimeve diplomatike.

 

Gazeta thekson se kjo iniciativë vjen tejet vonë dhe se Greqia po tenton të aktivizohet në mënyrë që të parandalojë më të keqen. Ky proces, sipas të gjitha gjasave do të ketë dy faza.

E para do të jetë konsultime trepalëshe Athinë-Tiranë-Romë, ndërsa e dyta bisedimet do të  mbahen ndërmjet Athinës, Sofjes, Tiranës dhe Shkupit.

Një burim diplomatik për gazetën ka in formuar se Kocias këtë ia ka propozuar ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij të paradokohshme në Athinë.

Gazeta thotë se takimi mes përfaqësuesve të Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë është caktuar për datën 7 prill dhe në të do të bisedohet për mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit. Kjo sipas të gjitha gjasave do të përfshijë shkëmbim të informacioneve dhe zgjerim të bashkëpunimit ndërmjet policive të tre vendeve.

“Pas takimit të së enjtes, Kocias do të tentojë të arrijë marrëveshje të ngjashme edhe me Maqedoninë dhe Bullgarinë. Nëse shkohet sipas planit, hapi i ardhshëm do të jetë më i madh”, shkruan “To Vima”./ATA/